Prokurori i Posaçëm Robert Mueller ka folur për herë të parë mbi hetimin që ka kryer lidhur me Rusinë dhe thotë se akuzat ndaj Presidentit Donald Trump nuk ishin një opsion.
Mueller përsëriti se raporti i tij nuk e shfajësoi presidentin dhe se udhëzimet ligjore ndalojnë aktakuzën ndaj një presidenti në detyrë.
“BBC” shkruan se Mueller nuk përjashtoi mundësinë të dëshmonte në Kongres, por tha se nuk do të jepte informacione që nuk ishin në raportin e tij.
Pas fjalëve të Mueller, Trump tha: “Çështja është e mbyllur! Faleminderit.”
Si këshilltar special, Mueller ishte ngarkuar me hetimin e ndërhyrjes së Rusisë në zgjedhjet presidenciale të 2016-ës.
Raporti i tij prej 448 faqesh tha se nuk kishte vërtetuar se fushata e Trumpit komplotonte me rusët për të ndikuar në zgjedhje.
Megjithatë, ai dha detaje në 10 raste ku Trump ndoshta kishte tentuar të pengonte hetimin por kjo jo sepse kishte bashkëpunuar me rusët.
Prokurori i posaçëm Robert Mueller njoftoi se po largohej nga Departamenti i Drejtësisë për t’u kthyer në jetën private.
Çfarë tha Mueller?
Deklarata e tij kryesisht ripohoi atë që shkruhej në raportin e publikuar muajin e kaluar.
Ai tha se ekipi i tij kishte besim se Trump “në mënyrë të qartë nuk ka kryer asnjë krim, ne do ta kishim thënë po të ishte kështu”.
Mueller shtoi se “Kushtetuta kërkon që një proces tjetër përveç sistemit të drejtësisë penale, të akuzojë zyrtarisht një president në detyrë për shkelje të ligjit”.
Këshilltari special tha se nuk besonte se ishte “e përshtatshme për të folur më tej” për hetimin dhe se ai nuk do të jepte ndonjë informacion që nuk ishin në raport.
Mueller u përgjigj dhe lidhur me kërkesën që demokratët kanë që ai të dëshmojë në Kongres. Mueller tha: “Raporti është dëshmia ime.”
Ai gjithashtu njoftoi mbylljen formale të zyrës së këshillit special dhe dorëheqjen e tij nga departamenti i drejtësisë për t’u kthyer në jetën private.