Emërohet kancelarja e parë grua në Austri, e cila do të udhëheqë vendin deri në zgjedhjet e parakohshme të shtatorit.
“CNN” shkruan se kancelarja e re është Brigitte Bierlein, drejtuesja e gjykatës më të lartë të vendit, e cila u emërua pas rënies së koalicionit të krahut të djathtë pas një skandali korrupsioni.
Presidenti Alexander Van der Bellen njoftoi emërimin e Bierlein të enjten nga Kancelaria në Vienë.
Gjykatësja 69-vjeçare e cila ka shërbyer që në vitet ’70 në organet më të larta të prokurorisë dhe të drejtësisë në vend, u zotua se do të formojë një kabinet profesionistësh, kryesisht me nëpunës civilë.
“Në muajt e ardhshëm do të bëj bashkë një ekip qeveritar me theks te ekspertiza profesionale dhe intuita politike, për të qeverisur të vendosur dhe në të mirë të qytetarëve. Zoti president, ju falenderoj për besimin që po më jepni, dhe ju premtoj juve dhe të gjithë austriakëve se do bëj gjithçka për ta merituar.”, tha Bierlein.
Brigitte Bierlein pritej të dilte në pension në muajt e ardhshëm pasi kishte fituar kreun e Gjykatës Kushtetuese një vit më parë.
Ish-kancelari Sebastian Kurz, këtë javë humbi votëbesimin në parlament pas rënies së qeverisë, si pasojë e publikimit të një videoskandali ku ish-aleati i tij shfaqej duke ofruar tendera publikë në këmbim të lajmeve pozitive mediatike gjatë zgjedhjeve parlamentare të dy viteve më parë.