Vendosni fjalën kyçe....

Eksperti amerikan kritikon kryeministren serbe: Turp të kesh, gjithë bota i njeh shqiptarët


Deklaratat e kryeministres serbe Ana Brnabiç se “shqiptarët vijnë nga mali”, janë pritur me kritika jo vetëm nga shqiptarët.

Eksperti amerikan për negociatat Alon Ben-Meir, gazetar, konsulent privat dhe profesor i marrëdhënieve ndërkombëtare dhe studimeve të Lindjes së Mesme në Qendrën për Çështje Globale të Universitetit të Nju Jorkut, ka reaguar përmes rrjeteve sociale duke e quajtur raciste deklaratën e kryeministres serbe.

Ben-Meir thotë se është zhgënjyese të shohësh se si politikanët e rinj të Beogradit po veprojnë me të njëjtin diskurs politik si në regjimin e Millosheviçit. Ai ka kërkuar një reagim nga ana e përfaqësueses së Lartë e Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Federica Mogherini.

“Koment racist nga kryeministrja serbe Brnabic, e cila i referohet kosovarëve si ‘njerëz të ardhur nga xhungla/mali’. Zhgënjim të shohësh politikanët e rinj në Beograd me të njëjtin diskurs politik si regjimi i Milosheviçit. Federica Mogherini duhet të reagojë”, shkruan profesori amerikan.

Krahas këtij shkrimi, Alon Ben-Meir ka publikuar dhe fotografitë e disa prej shqiptarëve me të njohur në botë, mes te cilëve dhe Nënë Tereza, Majlinda Kelmendi, Dua Lipa, Rita Ora, Xherdan Shaqiri dhe Granit Xhaka.

 “Vetëm për t’ia kujtuar kryeministres serbe Brnabiç, e cila tha se shqiptarët e Kosovës ‘janë njerëz të zbritur nga malet …’ Se bota tashmë e di se kush janë shqiptarët. Turp të kesh!”, vijon më tej eksperti amerikan.

Në një postim të tretë, Alon Ben-Meir i kërkon Bashkimit Europian t’i vërë Serbisë si kusht për anëtarësim njohjen e Kosovës.

“Zgjidhja për konfliktin Serbi-Kosovë do të jetë e vështirë të arrihet për sa kohë që Rusia vazhdon të mbështesë qëndrimin e Serbisë. BE duhet të ushtrojë presion politik në Beograd dhe të lidhë dëshirën e Serbisë për t’u bërë një anëtar i BE-së me njohjen e Kosovës”, shkruan Alon Ben-Meir.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *