Presidenti i SHBA-së Donald Trump ka njoftuar vendosjen e tarifave të reja për të gjitha mallrat që vijnë nga Meksika, një masë për ta detyruar këtë vend të frenojë imigracionin e paligjshëm në SHBA.
Trump tha përmes një postimi në “Twitter” se që nga 10 qershori do të vendoset një tarifë prej 5% dhe do të ngrihej ngadalë “deri në zgjidhjen e problemit të Imigracionit të paligjshëm”.
Jesus Seade, diplomati më i lartë i Meksikës për Amerikën e Veriut, tha se tarifat e propozuara do të ishin “katastrofike”.
Kujtojmë se Trump shpalli emergjencën kombëtare në kufirin SHBA-Meksikë në shkurt. Ai tha se ishte e nevojshme të trajtohej kriza në kufirin jugor të SHBA-së, shkruan “BBC“.
Presidenti amerikan ka akuzuar vazhdimisht Meksikën se nuk ka bërë mjaftueshëm për të frenuar emigrimin masiv dhe kjo është përpjekja e tij e fundit për të ushtruar presion mbi shtetin fqinj.
“Për vite me radhë, Meksika nuk na ka trajtuar në mënyrë të drejtë – por ne tani po marrijm të drejtat tona si një komb sovran”, thuhet në deklaratë.
Meksika ishte furnizuesi i dytë më i madh i mallrave në SHBA vitin e kaluar, me importe që arrinin në 346.5 miliardë dollarë. Meksika është e njohur për prodhimet bujqësore si avokado dhe tequila, por vendi është gjithashtu një qendër e madhe prodhuese dhe shtëpia e shumë kompanive amerikane.