Disa prej kompanive gjigande të filmit në SHBA si “Disney”, “Netflix” dhe “WarnerMedia” mund të mos xhirojnë më në Xhorxhia në rast se ligji i ri për abortin do të hyjë në fuqi.
Tre kompanitë e filmit, e kanë kundërshtuar legjislacionin, i cili ndalon abortin, shkruan “BBC“.
Xhorxhia bën miliarda dollarë nga prodhimet e filmit dhe televizionit.
Ligji i ri kërkon të bëjë abortin e paligjshëm sa më shpejt që një rrahje zemre e fetusit vihet re. Në shumicën e rasteve, kjo ndodh zakonisht në javën e gjashtë të shtatzënisë, pra para se shumë gra zbulojnë se janë shtatzënë.
Çfarë thanë kompanitë filmike?
Bob Iger, CEO i “Disney” thotë se ligji do ta bënte “të vështirë” për kompaninë që të vazhdojë filmimin atje.
“WarnerMedia” ndërkohë tha se do të rishqyrtojë Xhorxhian “në qoftë se ligji i ri miratohet”. “Netflix” gjithashtu njoftoi të martën se do të “rishqyrtojë” prodhimet e saj filmike në shtet nëse ligji hyn në fuqi.
“Ne kemi shumë gra që punojnë në prodhimet tona në Xhorxhia, të drejtat e të cilave së bashku me miliona të tjera do të kufizohen ashpër nga ky ligj”, tha zyrtari kryesor i përmbajtjes Ted Sarandos.