Ish-deputeti i Partisë Demokratike Klevis Balliu, u paraqit sot në Prokurori për të dorëzuar disa prova për dhunën e policisë dhe aktet e paligjshme ndaj banorëve të Bregut të Lumit.
Balliu thotë ka paraqitur video dhe foto që provojnë se si efektivë të policisë dhunuan banorët te Bulevardi, të cilët kundërshtonin shembjen e banesave të tyre.
“PD ka bërë një kallëzim penal kundrejt Policisë së Shtetit, për dhunën barbare të ushtruar ndaj banorëve të Bulevardit. Juve dhe i keni transmetuar shumë nga videot të cilat tregojnë qartazi se si janë dhunuar gra, fëmijë, gjatë operacionit të dhunshëm të policisë për prishjen e banesave të banorëve te Bregu i Lumit për shkak të projektit të ri të Bulevardit.
Sot dorëzova në emër të PD-së disa video, shumë prej tyre dhe i keni parë, por edhe video të tjera, foto, të cilat faktojnë dhunën që policia e shtetit ka ushtruar ndaj këtyre banorëve.
Më lejoni të jem i qartë, dhuna vjen për shkak të urdhrave politikë të kupolës së Policisë së Shtetit dhe të vetë kryeministrit Edi Rama.
Sot për shkak të politizimit të policisë së shtetit, sot Policia e Shtetit është ndarë në Polici të Shtetit dhe Polici të Pushtetit.
Policia e pushtetit të Edi Ramës, është ajo e cila dhunon protestuesit në çdo protestë, është ajo e cila gjendet e dehur në zyrat e qeverisë dhe jep urdhra e dehur për të dhunuar qytetarët shqiptar.
Dua të bëj një ndasi të qartë, jo çdo efektiv policie është i këtij standardi. Ka efektivë të ndershëm të cilët janë më të shumtë në numër, që janë të detyruar të zbatojnë këto urdhra.
Ka plot 4 muaj sot që Edi Rama i ka shpallur luftë qytetarëve duke i dhunuar ato.
Sot akoma vazhdon në punë shefi i Komisariatit Nr.4, i cili është parë me zë dhe fuigurë duke dhunuar një vajzë 20-vjeçare, video që unë e dorëzova sot tek Prokuroria. Për zgjidhjen e problemeve të qytetarëve shqiptarë nuk ka asnjë rrugë tjetër përveç një revolte mbarëkombëtare e cila të rikthejë këtë vend në normalitet.”, tha Balliu.