Vendosni fjalën kyçe....

Kosova shpall “Non Grata” punonjësin rus të UNMIK-ut


Kosova shpall “non grata” punonjësin rus të Misionit të Kombeve të Bashkuara (UNMIK),Mikhail Krasnoshchenkov. Lajmin e ka bërë të ditur vetë kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj.

Në një postim në adresën e tij zyrtare në “Facebook”, Haradinaj thotë se vendimi është marrë për shkak të veprimeve të rusit kundër rendit kushtetues të Kosovës.

“Sot, kam kërkuar nga Ministria e Punëve të Jashtme që në bazë të kompetencave kushtetuese dhe ligjore të shpallim shtetasin rus z.Mikhail Krasnoshchenkov si person ‘Non Grata’.

Vendimi është marrë sot ndaj këtij personi që punon si staf ndërkombëtar në Kombet e Bashkuara, dhe të njëjtit i urdhërohet që ta lëshojë territorin e Republikës së Kosovës. Ky vendim ka hyrë në fuqi, sot nga 31 maj 2019.

I bëj thirrje Përfaqësuesit të Posaçëm të Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara në Kosovë të respektojë vendimin.

Vendimi është marrë për shkak të veprimeve të shtetasit rus kundër rendit kushtetues të Kosovës, vlerave universale, paqes dhe stabilitetit!”, shkruan Haradinaj.

Mikhail Krasnoshçekov dhe një pjesëtar tjetër i UNMIK-ut, u arrestuan më 28 maj pasi kanë tentuar të pengojnë aksionin e Policisë së Kosovës në veri, që synonte arrestimin e zyrtarëve policorë dhe qytetarëve të dyshuar për përfshirje në korrupsion dhe krim të organizuar.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *