Personi i arrestuar sot si i dyshuar për vrasjen e ish-policit Arben Bilali në janar të këtij viti, nuk është një emër i panjohur për policinë. Ai është dënuar më parë për tre veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve’”, “Armëmbajtja pa leje” dhe “Rrëmbim personi”.
Të shumtë e konsiderojnë Cukalin si një nga “të fortët e Myslym Shyrit”, për shkak të ngjarjeve të përsëritura që kanë ndodhur në këtë zonë.
Një nga ngjarjet më të bujshme për të cilat u akuzua Gjergji Cukali ishte ajo e pengmarrjes së Fatjon Demirlikës në vitin 2004.
Më 24 nëntor 2006, Gjykata e Krimeve të Rënda e dënoi Gjergji Cukalin me 10 vjet burg, me akuzën e heqjes së paligjshme të lirisë ndaj shtetasit Fajton Demirlika në vitin 2004. Ngjarja kishte si motiv një konflikt për 100 mijë euro.
Pasi mbaroi dënimin për pengmarrjen e Demirlikës, i ndihmuar edhe nga amnistia që i fali një vit burg, Cukali vazhdoi të kishte probleme me policinë.
Ai u arrestua për herë të dytë më 20 gusht 2012, pasi gjatë një kontrolli u kap nga patrulla e Policisë me një armë zjarri pistoletë pa leje dhe me një krehër me 17 fishekë.
Në korrik të vitit 2016, policia zhvilloi një aksion për arrestimin e një grupi të shpërndarës të drogës, ku u konstatua se furnitori i tyre ishte pikërisht Gjergj Cukali. Ai u arrestua sërish, në 2018-ën pasi kishte thyer masën e sigurisë “arrest shtëpie”./Hashtag.al