Vendosni fjalën kyçe....

Papa Françesku nis vizitën në Rumani


Papa Françesku nsi vizitën e tij tre-ditore në Rumani, në përpjekjet për të forcuar lidhjet midis të krishterëve ortodoksë dhe katolikëve në Evropën Lindore.

Sikurse shkruajnë mediat ndërkombëtare, udhëtimi i i Papa Françeskut në Rumani fillon nga  31 maj deri më 2 qershor. Vizita në Rumani, pason vizitën e Papës në Bullgari dhe Maqedoninë e Veriut më herët gjatë këtij muaji.

Gjatë vizitës së tij në Rumani, Papa Françesku do të ndalojë në gjashtë destinacione. Udhëtimi do të përfshijë vizita në katedralet ortodokse dhe katolike romake, festimin e një morie riteve latine dhe një liturgjie hyjnore të ritit lindor, si dhe takime të ndara me udhëheqësit politikë, të rinjtë dhe familjet si dhe anëtarët e komunitetit rom.

Papa Françesku do të vizitojë kryeqytetin e Rumanisë, Bukureshtin si dhe qytetet Bacau, Iasi, Sibiu, Blaj dhe shenjtoren Marianë në Sumuleu Ciuc, një vend i rëndësishëm i pelegrinazhit për katolikët hungarezë.

Papa Françesku më 1 qershor do të vizitojë rajonin Szekelyfold, zonë kjo që është shtëpia e rreth 600,000 hungarezëve etnikë dhe vizita e tij është mirëpritur nga shumë banorë si një njohje e identitetit të tyre të veçantë.

Papa tha se shpreson që vizita e tij do të forcojë lidhjet ndërmjet komuniteteve ortodokse dhe katolike në Rumani.

“Unë do të shkoj në Rumani si një pelegrin, së bashku me vëllezërit tanë të Kishës Ortodokse Rumune dhe me besimtarët katolikë. Lutuni për mua”, shkroi Papa në Twitter.Sipas statistikave të Qeverisë rumune, katolikët përbëjnë rreth 5 përqind të popullsisë prej 20 milionë banorësh.

Papa Gjon Pali II udhëtoi në Rumani në vitin 1999, pjesë e një përpjekjeje të Vatikanit për të përmirësuar lidhjet me Kishën Ortodokse botërore.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *