Gjykata e Tiranës ka lënë në burg Gjergji Cukalin, i akuzuar për vrasjen e ish-policit Arben Bilali, rreth 4 muaj më parë, më 30 Janar të këtij viti.
Gjykata caktoi masën e sigurisë “arrest me burg” për Cukalin, i cili u arrestua një ditë më parë.
Identifikimi i tij është bërë pas analizimit të provave që u fiksuan në automjeti tip “Mercedez Benz CLS”, me ngjyrë blu të errët, që u gjet në afërsi të Mjull Bathores, pak orë pas ngjarjes.
Gjergj Cukali është një personazh mjaft i njohur në botën e krimit. Në vitin 2004, ai ka qenë i akuzuar për pengmarrje.
Më 24 nëntor 2006, Gjykata e Krimeve të Rënda e dënoi Gjergji Cukalin me akuzën e heqjes së paligjshme të lirisë ndaj shtetasit F.D., ngjarje e ndodhur në vitin 2004.
Ndërkohë në korrik të 2016, ai u arrestua në kuadër të operacionit të koduar “Tangent”, ku Cukali ishte drejtuesi i një rrjeti të shpërndarjes së kokainës.
Atë kohë u proceduan penalisht 7 persona, ndërsa 9 të tjerë u arrestuan. Të arrestuarit ishin shtetas nga disa qytete të Shqipërisë, por edhe nga Kosova. Ndër ta kishte edhe të dënuar më herët për vepra të rënda penale.
Në bashkëpunim me njëri-tjetrin anëtarët e grupit dyshohet se shpërndanin lëndë narkotike kokainë në zona të ndryshme të Tiranës si “Myslym Shyri”, ish-Blloku, sheshi “Willson”, në rrugën “Ali Demi”, në zonën e Porcelanit dhe në rrugën e Elbasanit.
Përmes veprimeve procedurale dhe duke përdorur metoda speciale, Policia e Tiranës kishte dokumentuar aktivitetin kriminal të këtij grupi. Hetimet patën provuar se shtetasit e arrestuar e siguronin lëndën narkotike përmes Gjergji Cukalit dhe më pas e shpërndanin, sipas porosive të marra nga klientët.
Gjergji Cukali, i njohur si “i forti i Myslym Shyrit”, kishte edhe një identitet tjetër, gjë që iu zbulua menjëherë pas arrestimit në vitin 2016.
Një vendim i Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë që mban datën 24 Maj 2017, i dha lirinë Gjergji Cukalit duke vendosur masë sigurie “arrest shtëpie”. Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë argumenton se u vendos që Gjergji Cukali të qëndrojë në “arrest shtëpie” për shkak të gjendjes së tij shëndetësore. Rezulton se “i forti i Myslym Shyrit” vuante nga astma bronkiale dhe kishte kriza të shpeshta.
“Për këtë arsye,- thotë Gjykata e Lartë, -Gjergji Cukali nuk mund të mjekohet në Institutin e Kujdesit të Veçantë Shëndetësor të të burgosurve Tiranë. Qëndrimi në burg i vë jetën në rrezik”. Nisur nga ky raport mjekësor, Gjykata e Lartë vendosi të rrëzojë dy masat e sigurisë “arrest me burg” të Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë dhe të Apelit Tiranë, duke vendosur “arrest shtëpie”, si masë më të përshtatshme duke parë gjendjen e të pandehurit.