Sekretari i Shtetit Mike Pompeo tha se Shtetet e Bashkuara mund të mos ndajnë më informacione të sigurisë me vendet që instalojnë rrjetet celulare të gjeneratës së ardhshme duke përdorur kompaninë kineze Huawei, të cilën Uashingtoni e konsideron si kërcënim.
Këtë paralajmërim zoti Pompeo e bëri pas takimit me homologun i tij gjerman Heiko Maas në Berlin. Ky i fundit deri tani ka mbajtur qëndrim të njëjtë me partnerët evropianë, duke u rezistuar thirrjeve të SHBA-së për të frenuar kompaninë kineze në pronësi shtetërore, e cila po ndërton rrjetet celulare 5G.
Zoti Pompeo tha gjithashtu se ndërsa të gjitha vendet duhet të marrin një vendim të pavarur se cilat kompani do të përdorin, Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë t’i paralajmërojnë ato mbi rreziqet, përfshirë mundësinë që Uashingtoni të mos ndajë më informacion me to.
“Ekziston një rrezik dhe do të duhet të ndryshojmë sjellje sepse ne nuk mund të lejojmë që të dhënat private të qytetarëve apo të dhëna mbi sigurinë kombëtare të kalojnë nëpër rrjete tek të cilat nuk kemi besim”, tha ai në një konferencë shtypi.
Zoti Pompeo pritet të vazhdojë të bëjë presion mbi këtë çështje edhe gjatë takimit me kancelaren Angela Merkel. Berlini është ndalesa e parë e tij e një udhëtimi pesë-ditor evropian. Ai pritet të vizitojë gjithashtu Zvicrën, Holandën dhe Britaninë. Këtë muaj zoti Pompeo i kërkoi aleatit të afërt të SHBA-së, Britanisë që të mos përdorë teknologjinë Huawei për të ndërtuar rrjetet 5G, për shkak të shqetësimit se ato mund të shërbejnë si një mekanizëm për spiunazh nga ana e qeverisë kineze.
Shtetet e Bashkuara kanë qëndrime të ndryshme me aleatët e tyre gjermanë në një një mori çështjesh, nga tregtia, shpenzimet ushtarake tek parandalimi i përhapjes së armëve bërthamore.
Një zëdhënës i Ministrisë së Jashtme kineze, duke iu përgjigjur komenteve të ngjashme mbi kompaninë Huawei të bëra të enjten nga nënpresidenti amerikan Mike Pence në Kanada tha se Shtetet e Bashkuara duhet të japin prova se produktet Huawei paraqesin rrezik për sigurinë./VOA