Vendosni fjalën kyçe....

Rritet numri i femrave në Parlamentin Evropian por sërish burrat mbajnë shumicën


Sipas një analize të rezultatit të zgjedhjeve të Parlamentit Evropian, më shumë gra se kurrë më parë janë zgjedhur deputete në këtë institucion. Sidoqoftë, 60 për qind e deputetëve janë burra.

Sipas numërimit të pjesës më të madhe të votave, përqindja e grave në Parlamentin Evropian është rritur nga 36 për qind sa ishte para pesë vjetësh në rreth 39 për qind. Me fjalë të tjera, gratë tashmë kanë 286 ulëse në institucionin me 751 anëtarë.

Kështu, baraspesha gjinore në Parlamentin Evropian do të jetë mbi nivelin mesatar prej 30.2 për qind, i cili është në kuvendet shtetërore të vendeve anëtare të Bashkimit Evropian. Njëmbëdhjetë shtete vendosën kuota gjinore për parti këtë vit, ndërsa në vitin 2014, një gjë të tillë e kishin bërë vetëm tetë shtete.

Përndryshe, përqindja e grave në Parlamentin Evropian gjatë këtij mandati do të jetë dukshëm më e lartë se përqindja e grave në kuvendin britanik (32 për qind) dhe në Dhomën e Përfaqësuesve në Shtetet e Bashkuara (23.6 për qind).

Sidoqoftë, këto rezultate e lënë Parlamentin Evropian prapa 16 kuvendeve tjera në botë në aspektin e baraspeshës gjinore. Gjashtë shtete anëtare të BE-së kanë përqindje më të madhe të grave në parlamentet e tyre sesa që do të ketë Parlamenti Evropian, ku prijnë Suedia dhe Finlanda, shkruan “The Guardian”.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *