Koordinatori i Partisë Bindja Demokratike, Astrit Patozi shpall hapjen e fushatës për zgjedhjet e 30 qershorit, por ndyshe nga sa do mendonin të gjithë, nuk e ka bërë këtë përmes një mitingu, por përmes një video në rrjetet sociale.
Patozi e justifikon këtë duke thënë se mitingjet janë poshtëruese për zgjedhësit dhe se ka zgjedhur një tjetër metodë për të realizuar këtë fushatë.
Ish-deputeti, thotë se partia më e re shqiptare është një ofertë serioze për 30 qershorin.
“VOTO BINDJEN TËNDE MË 30 QERSHOR!
Për ne të gjithë, Shqipëria është e para. Për secilin nga përfaqësuesit tanë, qyteti i tij është i pari.
BINDJA DEMOKRATIKE është sot në shërbim të dashurisë dhe respektit për Shqipërinë dhe për qytetin.
Në këto zgjedhje ne kemi kandidatë për kryetarë dhe këshilltarë bashkie nga Tropoja, në Sarandë dhe nga Korça në Durrës. Punë të mbarë dhe suksese secilit prej tyre!
Edhe pse forcë e re politike, BINDJA vjen si një ofertë serioze për 30 qershorin, në kontrast të fortë me ”Rilindjen” e konsumuar, që kemi përballë, por edhe me të vjetrit e tjerë, që kanë ikur nga procesi.
Ndaj mos iu bind atyre që të ftojnë në të njëjtin eksperiment të dështuar, që konsumohet prej gati 30 vjetësh në Shqipëri, por voto BINDJEN tënde!
Ne kemi hyrë në këtë garë për të mundur dhe rivalizuar kandidatët e Partisë Socialiste, kudo ku marrim pjesë. Sepse nuk gjejmĕ asnjë ndryshim mes qeverisë së korruptuar në Tiranë dhe zgjatimeve të saj në të gjitha bashkitë e vendit.
Në këtë fushatë, nuk do t’i thërrasim kurrë qytetarĕt të mblidhen rreth nesh, por do të shkojmë ne të përulur tek ata për t’i dëgjuar. BINDJA DEMOKRATIKE shpall refuzimin për mitingjet acaruese të politikës së lodhur, të cilat janë, sa të sforcuara, aq edhe poshtëruese për zgjedhësit.
Le ta theksojmë që në formë diferencën e thellë që kemi me “Rilindjen” dhe modelin e saj të shëmtuar, duke qenë një ofertë e re për Shqipërinë dhe për qytetet tona.
Mos iu bind Edi Ramës dhe politikanëve të tjerë, që duan t’ju përdorin sërish për interesat e tyre të mbrapshta!
Voto BINDJEN tënde më 30 qershor!”, thotë Patozi.
Mbase partia e Patozit vërtet i konsideron mitingjet poshtëruese për zgjedhësit, ose ndoshta thjesht nuk mund të mbledhin dot aq shumë njerëz në sheshe sikurse partitë e tjera.