Vendosni fjalën kyçe....

Zjarr në kampin e migrantëve në Bosnjë, 29 të plagosur


Njëzet e nëntë emigrantë kanë mbetur të plagosur nga shpërthimi i një zjarri mëngjesin e së shtunës në një kamp në veriperëndim të Bosnjës.

Zëdhënësi i policisë rajonale Ale Siljdedic tha se të plagosurit u dërguan në spitalet e qytetit Velika Kladusa pas zjarrit të madh në kampin Miral, që strehon përkohësisht rreth 500 emigrantë.

Reuters” shkruan se zjarri u shua gjatë ditës, por më shumë se njëqind emigrantë u detyruan të qëndronin jashtë në shi dhe në të ftohtë, sepse kati i sipërm i ndërtesës u shkatërrua.

Policia ka nisur hetimet për të zbuluar shkaqet e zjarrit, që dyshohet të jetë shkaktuar nga një pajisje ngrohëse, që migrantët e kanë ndezur për shkak të temperaturave të ulëta gjatë natës.

Organizata Ndërkombëtare për Migracionin (IOM), e cila menaxhon kampin, tha në një deklaratë se tetë vetë mbetën të shtruar në spital, dy prej tyre me lëndime serioze por jo kërcënuese për jetën.

Sipas mjekëve, shumë prej të lënduarve vuajnë nga thyerjet e gjymtyrëve dhe vetëm pak prej tyre nga djegiet.

Rreth 25,000 persona nga Azia dhe Afrika veriore, kanë hyrë në Bosnje nga Serbia dhe Mali i Zi, vitin e kaluar.

Vetëm rreth 3,500 nga ta ishin akomoduar në qendrat tranzitore, ndërsa pjesa tjetër ka mbetur rrugëve.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *