Templates by BIGtheme NET

Lideri i Iranit: Nuk heqim dorë nga programi bërthamor

Lideri suprem i Iranit, Ayatollah Ali Khamenei, tha të martën se Tehrani nuk do të mashtrohet nga oferta e presidentit amerikan, Donald Trump, për të zhvilluar negociata dhe se nuk do të heqë dorë nga programi i vet raketor.

Irani dhe Shtetet e Bashkuara janë përplasur ashpër muajin e kaluar, një vit pas tërheqjes së Shteteve të Bashkuara nga marrëveshja botërore për armët bërthamore, e cila ia ndalonte Iranit zhvillimin e programit raketor në këmbim të heqjes së sanksioneve ndërkombëtare.

Trump e kishte kritikuar këtë marrëveshje të nënshkruar nga paraardhësi i tij, Barack Obama, për shkak të kohës së kufizuar të vlefshmërisë së saj dhe mospërfshirjen e programit iranian për raketa balistike në këtë marrëveshje. Ai i ka bërë ftesë Iranit që të kthehet në tavolinën e bisedimeve për arritjen e një marrëveshjeje të re.

Duke reaguar ndaj këtyre komenteve, Khamenei gjatë një fjalimi të transmetuar në televizion tha: “Presidenti amerikan tha se Irani mund të zhvillohet me liderët aktualë. Kjo nënkupton se ata nuk e kërkojnë ndryshimin e regjimit. Por ky kurth politik nuk do t’i mashtrojë zyrtarët e Iranit dhe kombin tonë”.

Sidoqoftë, presidenti i Iranit, Hassan Rouhani, e dha një qëndrim më të butë për këtë çështje javën e kaluar, duke lënë të kuptohet se Irani mund të tregojë vullnet për bisedime me Shtetet e Bashkuara, nëse ato tregojnë respekt dhe i largojnë sanksionet, shkruan “Reuters”.

MUND TË KOMENTOSH

avatar
  Subscribe  
Më njofto