Ndahet nga jeta zonja e parë e Izraelit, gruaja e Presidentit Reuven Rivlin. Mediat izraelite shkruajnë se Nechama Rivlin ndërroi jetë mëngjesin e sotëm në spitalin Beilinson në Petach Tikva, një ditë përpara 74-vjetorit të saj.
“Për fat të keq, të gjitha përpjekjet e mjekëve për ta stabilizuar atë gjatë procesit kompleks të rehabilitimit që pasuan transplantin e saj dështuan”, thanë zyrtarët e spitalit.
Më herët këtë vit, zonja Rivlin iu nënshtrua një transplantimi të mushkërive në këtë spital. Zonja e Parë vuante nga fibroza pulmonare dhe iu nënshtrua operacionit pas një periudhe të gjatë pritjeje për të gjetur një mushkëri të dhuruar.
Operacioni për të transplantuar mushkërinë rezultoi me sukses, por znj. Rivlin mbeti në gjendje të rëndë. Ajo kishte probleme me frymëmarrjen për shkak të komplikimeve kardiake, duke e detyruar presidentin Rivlin të kthehej më shpejt nga një vizitë shtetërore jashtë vendit.
Nechama Rivlin lindi në vitin 1945 në Moshav Herut në rajonin Sharon. Prindërit e saj Drora dhe Mendy Shulman, kishin emigruar nga Ukraina dhe ishin ndër themeluesit e “moshav”.
Në vitin 1964 filloi studimet në Universitetin Hebraik të Jeruzalemit, duke studiuar shkencat natyrore. U diplomua në botanikë dhe zoologji dhe mban një certifikatë mësimdhënie në këto departamente.
Në vitin 1967 filloi të punonte në Universitetin Hebraik të Jeruzalemit si studiuese në Departamentin e Zoologjisë dhe më pas u zhvendos në Departamentin e Ekologjisë dhe Departamentin e Gjenetikës. Përveç kësaj, Nechama studioi historinë e artit në fushën e artit modern, klasik dhe të lashtë.
Ajo u martua me Reuven Rivlin në vitin 1971 dhe u vendos në Jerusalem.