Njerëzit në të gjitha qytetet e mëdha të Ballkanit Perëndimor përballen me nivele alarmuese të ndotjes së ajrit, pasi rajoni i pazhvilluar, politikisht i brishtë, vazhdon të varet nga djegia e qymyrit për të gjeneruar energji, thuhet në një raport të Kombeve të Bashkuara.
Raporti i Programit të OKB-së për Mjedis i publikuar të hënën, sipas New york Post, u përgatit në bashkëpunim me Organizatën Botërore të Shëndetësisë dhe institucionet e menaxhimit të cilësisë së ajrit në Shqipëri, Bosnjë, Kosovë, Mal të Zi, Maqedoni të Veriut dhe Serbi.
Ai bazohet në të dhënat e mbledhura prej 274 ditësh në vit.
“Popullsia është e ekspozuar ndaj disa prej përqendrimeve më të larta të ndotjes së ajrit në Evropë”, thotë raporti, i cili e identifikon mungesën e qasjes së rajonit në burimet moderne të energjisë së rinovueshme si shkak kryesor të ndotjes së ajrit.
Pesëmbëdhjetë centrale aktive me qymyr në pesë vende të Ballkanit Perëndimor hedhin në ajër sasi të konsiderueshme të dioksidit të squfurit, oksidit të nitrogjenit dhe pluhur, thuhet në raport.
Gjithashtu, rreth 88 % e 7.3 milion ndërtesave të rajonit, përdorin sisteme të decentralizuara të ngrohjes që përdorin energji joefikase.
Në 18 qytetet kryesore të analizuara, raporti thotë se ndotja e ajrit po shkakton një numër të konsiderueshëm vdekjesh të parakohshme.
Në të njëjtin raport, thuhet se ndotja e ajrit në qytetet e Ballkanit Perëndimor “shkakton 15% deri në 19% të totalit të vdekshmërisë dhe zvogëlon jetëgjatësinë prej 1.1 deri në 1.3 vjet”.
Më tej në raport thuhet se në qytetet e Ballkanit të marra në shqyrtim, kufizimet e përditshme të shëndetit për ekspozimin ndaj grimcave me diametër të madh të blozës dhe lëndëve të tjetra, ose PM10, u tejkaluan në 120-180 ditë në vit. Kjo është shumë më e lartë se sa lejohet nga ligjet kombëtare dhe të BE-së, të cilat kufizojnë numrin e ditëve të tilla vetëm në 35 në vit.