Vendosni fjalën kyçe....

Përplasje në koalicionin qeverisës italian, kryeministri Conte kërcënon me dorëheqje


Kryeministri italian Giuseppe Conte kërcënon me dorëheqje, nëse dy partitë aleate Lidhja dhe Lëvizja 5 Yjet nuk ndalonin përplasjet mes tyre.

Conte i ka bërë thirrje dy partive të koalicionit qeverisës të lënë mënjanë ndasitë ose ta çojnë vendin drejt zgjedhjeve të reja.

Sikurse shkruan Politico.eu, Conte tha në një konferencë shtypi në Romë të hënën në mbrëmje, se ai ishte treguar “naiv duke menduar se dy partitë do të zgjidhnin dallimet mes tyre pas zgjedhjeve evropiane”, kur  Lidhja fitoi 28 vende dhe Lëvizja 5 Yjet 14.

Conte këmbënguli se ai nuk i përket asnjë partie politike dhe ka vetëm interesin më të mirë të italianëve në zemër.

“Nëse qëndrimet e dy liderëve politikëve nuk janë konsistente dhe parimore, apo transparente dhe kushtetuese siç unë kam vepruar deri tani, do e dorëzoj mandatin tim në duart e presidentit të republikës. Secila palë duhet të marrë përgjegjësitë e veta, dhe për këtë më duhet një përgjigje e qartë dhe e shpejtë nga dy forcat politike.”, kërcënoi ai.

Conte tha se do të përpiqet të vazhdojë të flasë me Komisionin Evropian mbi buxhetin e vendit për të shmangur sanksionet e mundshme.

Megjithatë u bëri thirrje Matteo Salvinit dhe Luigi Di Maios, të ndihmonin në rivendosjen e besimit të tregjeve financiare në vend.

Partia e Salvinit kërkon një taksë të sheshtë prej 15 për qind për individët dhe bizneset, gjë që do të rriste deficitin buxhetor të vendit.

Brukseli do të vendosë të mërkurën nëse dëshiron të shkaktojë një procedurë kundër Italisë që mund të rezultojë me një gjobë prej 3.5 miliardë eurosh.

 

 


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *