Templates by BIGtheme NET

Vritet me plumb në kokë politikani i partisë së Merkelit

Një politikan gjerman i partisë së kancelares Angela Merkeli është gjetur i vdekur në rrethana që disa media i quajnë “misterioze”.

Kryetari i këshillit të qarkut në qytetin Kassel të Gjermanisë, Walter Lübcke, është gjetur i vdekur nga një plagë me armë zjarri në kokë, në kopshtin e tij. Policia thotë se asnjë armë nuk u gjet në vendngjarje.

Sipas “Independent“, policia në shtetin e Hesse-it, po e trajton vdekjen e politikanit 65-vjeçar si një hetim për vrasje.

Në një deklaratë, këshilli i rrethit tha se ishte “hutuar dhe tronditur nga vdekja e udhëheqësit popullor dhe jashtëzakonisht të afrueshëm”.

Muajin e kaluar, politikani i Kristian Demokrat (CDU) festoi dhjetëvjetorin e tij si president rajonal. Mediat gjermane thonë se politikani pritej të tërhiqej në mars, por ai e kishte zgjatur mandatin me kërkesë të kolegëve të tij.

“Ne jemi thellësisht të tronditur nga vdekja e papritur e mikut tonë Walter Lübcke,” tha kryetari i landit gjerman, kryeministri Volker Bouffier.

BBC” shkruan se trupi i Lübcke u gjet në orën 00:30 të dielën në mëngjes në tarracën e shtëpisë së tij në fshatin Istha. Ai u shpall i vdekur dy orë më vonë duke lënë pas gruan dhe dy fëmijë të rritur.

Policia gjermane e ka përjashtuar vetëvrasjen si mundësi, por thotë se nuk ka asnjë motiv përse anëtari i partisë së Merkel, CDU, të jetë vrarë.

“Ende nuk kemi të dhëna për autorët dhe mbi të gjitha asnjë motiv”, tha shefja e zyrës së krimeve, Sabine Thurau.

Prokurorët refuzuan që të jepnin më shumë informacione, por thanë se arma e përdorur për vrasjen e politikanit është një armë me rreze të shkurtër. Që do të thotë se 65-vjeçari është qëlluar nga një distancë e afër me plumb në kokë.

Walter Lubcke kishte marrë kërcënime me vdekje pasi kishte dalë në mbështetje të refugjatëve në Gjermani dhe ishte shprehur publikisht për t’u ofruar atyre strehim. Pas kërcënimeve që kishte marrë, atij iu ofrua mbrojtje personale.

Megjithatë, një zëdhënës i këshillit të qarkut të këtij qyteti, i tha gazetës gjermane “Süddeutsche Zeitung” se kërcënimet kundër tij nuk kishin vazhduar.

Pas vrasjes së Lubcke, policia ka rrethuar shtëpinë e tij dhe ka marrë në mbrojtje familjen./Hashtag.al

MUND TË KOMENTOSH

avatar
  Subscribe  
Më njofto