Vendosni fjalën kyçe....

Audiopërgjimet e “Bild”, opozita kërkon largimin urgjent të Ramës


Pas audiopërgjimeve të publikuara nga gazeta gjermane “Bild” për lidhjen e eksponentëve të PS-së me krimin dhe vjedhjen e votave në zgjedhjet e 2017-ës, vjen reagimi nga opozita. Sekretari Përgjithshëm të LSI-së, Petrit Vasili në një prononcim për median ka kërkuar largimin e kryeministrit Edi Rama.

Vasili thotë se nëse Rama nuk largohet nga detyra është legjitime që populli të mbajë të gjitha qëndrimet që i sheh të arsyeshme për t’i dhënë fund kohës së kriminelëve në pushtet.

“Nëse këta nuk largohen urgjentisht nga detyra është legjitime që populli shqiptar nuk mundet dhe nuk do të pranojë kurrë të qeverisen nga kriminelët që është shumë e qartë që janë ata që qeverisin në këtë vend. Ndaj populli ka të drejtën legjitime të mbajë të gjitha qëndrimet që i sheh të arsyeshme për të vendosur pushtetin e tij në këtë vend. Koha e kriminelëve në pushtet ka mbaruar. Çdo sekond është puç ndaj qytetarëve të ndershëm”, është shprehur Vasili.

Një reagim ka patur edhe nga ana e ish-kryeministrit Sali Berisha, sipas të cilit këto audiopërgjime janë shpartallim për Ramën.

“Gazeta gjermane Bild, më e madhja në Europë shpartallon Ramën dhe narkoshtetin e tij.

Ajo publikon për herë të parë përgjimet të cilat faktojnë se bosi i mafies dhe vrasësi Astrit Avdyli cakton deputetët dhe fitoren e tyre”, shkruan Berisha.

Audiopërgjimet e publikuara nga “Bild”, tregonin qartë se si disa drejtori të rëndësishme në Durrës merrnin urdhra nga grupi i Astrit Avdylajt, se si ky i fundit zgjidhte kandidatët e Partisë Socialiste për deputetë, si punonjësit e administratësh kërcënoheshin me pushim nga puna në rast se nuk votonin PS-në. Në audiopërgjime përfshihet dhe kryebashkiaku i Durrësit, i cili në një telefonatë me Avdylajn duket se kanë një marrëdhënie shumë të afërt me njëri-tjetrin. Madje Avdylaj e dinte shumë mirë se ç’kishte bërë kryebashkiaku një natë më parë, të cilin e quan vëlla.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *