Vendosni fjalën kyçe....

Më pak biznese të reja po hapen në vend tre vitet e fundit


Më pak sipërmarrës po marrin iniciativën që të hapin një biznes të ri në Shqipëri. Shifrat e INSTAT treguan se në 2018-n ritmi i çeljes së bizneseve të reja aktive në ekonomi ra me 18%. Prej 2015-s, vit i cili përkon me aksionin e famshëm anti-informalitet, numri i ndërmarrjeve të reja aktive në ekonomi ka qenë në rënie.

Në fund të 2018-s sipas INSTAT u regjistruan të reja rreth 20,200 biznese të reja, nga afërsisht 25 mijë që u regjistruan një vit më parë, duke shënuar një rënie me 18%. Po ashtu edhe vit më parë, numri i bizneseve të reja të çelura shënoi tkurrje me 20%, ndërsa në 2016-n numri i tyre u përgjysmua në raport me një vit më parë.

Kulmi i bizneseve të reja të çelura kulmoi në 2015-n ku sipas të dhënave nga databaza e INSTAT u regjistruan rreth 56 mijë e 780 biznese të reja, 2.2 herë më shumë se një vit më parë. Si rrjedhojë e aksionit informalitet të nisur në shtator 2015, shumë biznese ambulance nxituan të regjistroheshin, por një pjesë e madhe e tyre dolën sërish nga tregu vitet në vijim.

Sipas sektorëve të ekonomisë, tkurrje më të madhe e kanë pasur prodhuesit e shërbimeve, ku në 2018-n u hapën 13,549 biznese të reja, nga mbi 17 mijë që ishin hapur një vit më parë, 20% më pak. Ndërsa bizneset e reja në prodhimin e të mirave shënuan ulje me 11%, nga 7,600 në 6730 biznese.

5,200 biznese të vogla u mbyllën në 2018-n

Regjistri i Ndërmarrjeve në fund të vitit 2018 numëron 162.835 ndërmarrje aktive, numër pothuajse i njëjtë me vitin e kaluar, raportoi INSTAT në publikimin për Regjistrin e Ndërmarrjeve Ekonomike 2018.

Në raport me një vit më parë rezulton që personat fizikë, kryesisht bizneset e vogla, janë ulur me 5,216 subjekte, duke zbritur në 93 mijë. Mbyllja e bizneseve të vogla është një dukuri që ka nisur prej disa vitesh, si rrjedhojë nga konkurrenca nga qendrat e mëdha dhe zinxhirët e supermarketeve, por që në 2018-n u përshpejtua dhe më tej për shkak të uljes së kufirit të TVSH-së nga 5 në 2 milionë lekë. Në raport me dy vjet më parë, numri I bizneseve të vogla të mbyllura arrin në 7,9000.

Ndërkohë janë rritur subjektet e regjistruara si fermerë, me 4,400 më shumë, duke arritur në 40.9 mijë fermerë, si rrjedhojë e masave për formalizmin e bujqësisë dhe orientimin e fermerëve për t’u pajisur me NIPT në mënyrë që të përfitojnë nga subvencionet.

VINI RE: Ky artikull është pronësi intelektuale e Monitor.al

 


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *