Vendosni fjalën kyçe....

PD reagon për përgjimet: Në vend që Rama të dorëhiqet e Dako të shkojë në pranga, shantazhojnë gazetarët


Partia Demokratike ka reaguar për përgjimet e publikuara në Bild duke theksuar se Rama hesht sa herë kapet duke kryer krime.

Në deklaratën e PD-së nënvizohet edhe vendimi i prokurorisë për ndalimin e publikimit të përgjimeve, duke e quajtur shantazh nga Rama dhe grupi i tij kriminal.

PD ka hedhur edhe akuza ndaj Arta Markut dhe Donika Prelës.

 

Deklarata e plotë:

Në vend që, sot, politikanët e kapur në shitblerje votash me krimin, të ishin me pranga në duar; në vend që Kryeministri të jepte dorëheqjen dhe të vihej në dispozicion të hetimit për zbardhjen e krimeve zgjedhore; Edi Rama urdhëron shantazhimin dhe kërcënimin ndaj gazetës gjermane BILD dhe mediave shqiptare që nxorrën në dritë krimin zgjedhor.

Kërcënimet e shërbëtoreve të tij provojnë se Edi Rama dhe bashkëpunëtorët e tij në krim Vangjush Dako, Astrit Avdylaj, garantet e mosndëshkimit të këtyre krimeve elektorale, Arta Marku dhe Donika Prela, janë e njëjta dorë kriminale, pjesë e të njëjtit grupi të strukturuar kriminal që:

– vjedh votat,

– dhunon votuesit,

– manipulon hetimet,

– dhe kërcënon mediat.

Edi Rama, përfituesi nga blerja e votave prej bandës së Avdylajve kërkon të blejë kohë, duke urdhëruar prokurorinë e kontrolluar prej tij, të artikulojë teza të rrezikshme për demokracinë në vend dhe lirinë e medias.

Edi Rama vetë po hesht, siç bën gjithmonë, kur kapet me fakte në krim. Këtë radhë, as heshtja, as shërbëtoret e tij në prokurori, nuk mund të mbulojnë dot të vërtetën që tani ka marrë përmasa europiane: Edi Rama është një Kryeministër ilegjitim, që e ka shndërruar Partinë Socialiste në një strukturë të kriminalizuar, në shërbim të pushtetit të tij personal.

Partia Demokratike inkurajon gazetarët të vazhdojnë të kryejnë misionin e tyre për të informuar publikun mbi të vërtetën e tmerrshme se Shqipëria drejtohet nga krimi i organizuar.

Partia Demokratike inkurajon çdo prokuror të mos i bindet urdhrave politikë të një Kryeministri të kriminalizuar apo veglave të tij në drejtimin e Prokurorisë. Vënia përpara drejtësisë e pushtetarëve që kanë bashkëpunuar në zgjedhje me krimin e organizuar, është shërbimi më i madh ndaj interesit publik.

As heshtja, as përdorimi i Prokurorisë, nuk i jep dot më shumë jetë kufomës politike të Edi Ramës. Asgjë dhe askush nuk e shpëton dot atë dhe pushtetin e tij të inkriminuar.

 


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *