BE ka ndryshuar ligjin për vizat për të përmirësuar kushtet për udhëtimin ligjor dhe për të forcuar luftën kundër migracionit të paligjshëm, njoftoi sot Këshilli i BE-së.
Ministrat e Drejtësisë dhe të Punëve të Brendshme të BE në një takim në Luksemburg sot kanë konfirmuar rregulla të reja që do t’u lejojnë udhëtarëve nga një vend që i nënshtrohet regjimit të vizave për të bërë procedura më të shpejta dhe më të qarta.
Ndryshimet përfshijnë dorëzimin e kërkesës për vizë për një periudhë prej 6 muaj deri në 15 ditë para udhëtimit, plotësimin elektronik dhe nënshkrimin e formularëve të aplikimit, si dhe zgjatjen graduale të periudhës së vlefshmërisë së vizave me shumë hyrje për udhëtarët e rregullt nga një deri në pesë vjet.
Rregullorja e re gjithashtu rrit taksën e përpunimit të të dhënave, e cila tani do të arrijë në 80 euro, dhe shuma e saj do të rishikohet çdo tre vjet.
Këshilli i BE-së deklaron se rregullorja e miratuar do të përmirësojë bashkëpunimin me vendet e treta lidhur me ri-pranimin e emigrantëve të paligjshëm, nëpërmjet një mekanizmi të ri.
Brenda kuadrit të këtij mekanizmi, Komisioni do të vlerësojë rregullisht bashkëpunimin me vendet e treta në drejtim të ri-pranimit.
Në rast se një vend nuk bashkëpunon, Komisioni do t’i propozojë Këshillit të vendosë për zbatimin e masave kufizuese në lidhje me përpunimin e kërkesave, por edhe në lidhje me shumën e tarifave të vizave.
Nga ana tjetër, nëse vendi bashkëpunon sa i përket ri-pranimit, Komisioni mund të propozojë që Këshilli të marrë një vendim për zvogëlimin e taksave të vizave, duke shkurtuar kohën e nevojshme për të vendosur mbi kërkesat për viza ose për të rritur kohëzgjatjen e vizave për hyrje të shumëfishta.