Kryeministri i Kosovës, Haradinaj, ka deklaruar pas takimit me deputetët e Bundestagut gjerman, Johan Wadephul e Christian Schmidt, se Gjermania mbështet marrëveshjen Kosovë-Serbi në kufijtë ekzistues. Në komunikatën për mediat thuhet se Haradinaj ka falenderuar deputetët gjermanë për
për përkrahjen e vazhdueshme dhe kontributin e tyre të veçantë që kanë dhënë për Kosovën në të gjitha periudhat e shtetndërtimit, si dhe në rrugën euroatlantike, shkruan Lajmi.net.
Gjatë takimit, ai ka njoftuar deputetët e Bundestagut për progresin e Kosovës, përkushtimin e Qeverisë për zhvillimin ekonomik, forcimin e sundimit të rendit dhe të ligjit, Agjendën e Reformave Evropiane dhe orientimin euroatlantik të Kosovës.
“Qytetarët e Kosovës dhe institucionet janë gjithmonë falënderues për përkrahjen e shtetit të Gjermanisë, për avancimin e të gjithë sektorëve në Kosovë. Jemi në fazën e zhvillimit ekonomik dhe ndihma e Gjermanisë është e një rëndësie të jashtëzakonshme për Kosovën në këtë fazë.” – tha Haradinaj.
Deputetët gjermanë pohuan përkrahjen e vazhdueshme të Gjermanisë për proceset politike, veçanërisht në procesin e dialogut me Serbinë për arritjen e një marrëveshje përfundimtare, përfshirë njohjen reciproke në kufijtë ekzistues si dhe rrugëtimin euroatlantik të Kosovës.