Presidenti rus Vladimir Putin tha se përpjekjet e SHBA për të nxjerrë gjigantin teknologjik kinez Huawei jashtë tregut global mund të jenë një shenjë se një luftë e re teknologjike po vjen.
“Për shembull merrni situatën rreth kompanisë Huawei. Nuk ka përpjekje për ta sfiduar atë, por për ta detyruar atë të dalë jashtë tregut global”, tha Putin para publikut në Forumin Ekonomik Ndërkombëtar të Shën Petersburg të premten.
“Në disa qarqe quhet edhe lufta e parë teknologjike e epokës dixhitale që vjen.” – shtoi preisdenti rus.
Uashingtoni ka kritikuar gjatë kompaninë kineze, Huawei dhe një tjetër kompani kineze të teknologjisë, ZTE, lidhur me lidhjet e dyshuara me qeverinë kineze dhe për spiunazh.
Në maj, kur lufta tregtare mes Uashingtonit dhe Pekinit u përshkallëzua, administrata Trump e listoi Huaëei-n në listën e zezë, duke përmendur shqetësimet e sigurisë kombëtare.
Putin shtoi se përpjekjet për të monopolizuar një valë të re teknologjike nga disa vende pengojnë zgjidhjen e problemit global të pabarazisë dhe mund të çojnë në destabilizim.