Vendosni fjalën kyçe....

ME VIDEO – Reagon dhe PD-ja e Durrësit, por… emri i Dakos kalon tangent


Një ditë më parë “Hashtag.al”, nëpërmjet një fotomontazhi në profilin e tij në “Facebook” bëri një pyetje.

“Asnjë nga deputetët e PD-së dhe LSI-së në Durrës, nuk e ka denoncuar ose kritikuar aktivitetin e Vangjush Dakos. Pse?“, ishte pyetja pas përgjimeve të publikuara nga “Bild” në Gjermani që implikon kryebashkiakun e Durrësit me grupin e Avdulajve.

Pyetja është ngritur për sjelljen e eksponentëve të opozitës në Durrës, ndaj Vangjush Dakos për gjithë vitet e fundit të aktivitetit të tij.

E gjendur përballë kësaj pyetje, dega e Partisë Demokratike në Durrës është detyruar të përgjigjet, duke thënë se e kanë bërë një gjë të tillë. (Fillimisht kanë shpërndarë edhe linkun e “Hashtag”-ut por duke e hequr më pas).

Reagimi i degës së PD-së, Durrës

Mes të tjerash në reagimin e PD-së Durrës thuhet:

“Fenomeni kriminal “Vangjush Dako” është denoncuar vazhdimisht nga PD Durrësit, deputetët apo përfaqësuesit politikë të demokratëve durrsakë… Vetëm gjatë katër viteve te fundit janë denoncuar me fakte manipulimi kriminal i listave ku trafikohen votues te majtë ne qytetin bregdetar… Keto denoncime i gjeni nëpër profilet e tyre ne Facebook por dhe të bëra publike në gazeta apo media online.”

Por le të marrim një shembull të freskët të mënyrës se si e denoncojnë Vangjush Dakon eksponentët e Partisë Demokratike në Durrës. Ose më saktë, se si reagojnë kur përgjime të forta implikojnë botërisht kryetarin e bashkisë, zonë të cilën PD-ja e Durrësit e ka domain të sajin.

Në një deklaratë të dy ditëve më parë, me zë e figurë, Ferdinand Xhaferraj kreu i degës së PD-së në Durrës thotë pak a shumë:

“Pra sot u publikua skandali i radhës i qeverisë Rama. Tabloidi prestigjoz “Bild” vazhdoi publikimin e fakteve të kapjes së shtetit nga krimi i organizuar.

Përgjimi mund të jetë i ri po historia është e vjetër. Historia është aq e vjetër sa dhe vetë karriera e Dakos në politikë.

Çfarë na thonë këto përgjime? Përgjimet na thonë se problemi ka degraduar gradualisht. Nga një fenomen ku krimi përdorej për të blerë vota, drejt një fenomeni ku krimi ka marrë funksione politike.

Krimi cakton zyrtarë shteti, krimi cakton deputetë, krimi cakton kryebashkiakë.

Pra, përgjimet më të fundit tregojnë se nuk jemi në situatën e përdorimit të krimit nga Dako për punë votash por tashmë krimi është brenda shtetit, krimi ka kapur shtetin, krimi po përdor shtetin…”Lexo të plotë deklaratën e Ferdinand Xhaferrajt, kreu i PD-së, Durrës

Me një kërkim të thjeshtë mes rreshtash (ose duke përdorur në tasterierë CTRL+F) në të gjithë deklaratën e Xhaferrit rezulton se Dako është përmendur vetëm 2 herë, krejtësisht tangent, por ajo që bën më shumë përshtypje është se i përmendin vetëm mbiemrin dhe jo emrin (ndërsa Avdulajt as nuk përmenden fare).

Po t’i bësh një analizë të shkurtër kësaj deklarate rezulton se fokusi i mesazhit nuk qëndron te Vangjush Dako (në raste të tilla, ku kundërshtarët politikë kapen me përgjime të këtij niveli, partitë politike do përmendin në çdo rresht emrin dhe mbiemrin dhe do merreshin me faktin konkret, jo duke bërë përmbledhje pa efekt) por te “fenomeni”, “krimi”, “shteti i kapur nga krimi”, “indiferenca e Ramës”, “gjermanët”, “nota ndaj qeverisë” , “qeveri bandite”, “reagim agresiv”.

E çuditshme është edhe se si një degë lokale partie, kur i ka plasur skandali në zonën e vet elektorale, abstragon, duke hedhur më gjerë shikimin, të qeverisja në Tiranë.

Video marrë nga “Report TV”:

Edhe më e dyshimtë bëhet situata kur selia qëndrore e PD-së e përmend me emër dhe mbiemër, madje duke u marrë me faktet konkrete, teksa thotë në njërën prej deklaratave të saj:

“Kërcënimet e shërbëtoreve të tij provojnë se Edi Rama dhe bashkëpunëtorët e tij në krim Vangjush Dako, Astrit Avdylaj, garantet e mosndëshkimit të këtyre krimeve elektorale, Arta Marku dhe Donika Prela, janë e njëjta dorë kriminale, pjesë e të njëjtit grupi të strukturuar kriminal që:  vjedh votat, dhunon votuesit, manipulon hetimet dhe kërcënon mediat.”/Hashtag.al


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *