Kancelarja gjermane Angela Merkel ka refuzuar kërkesën e Komisionit Europian për hapje të shpejtë të negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Duke iu referuar gazetës gjermane “Süddeutsche Zeitung”, “Deutche Welle” shkruan se Merkel të premten i ka bërë një refuzim të qartë kërkesës së Komisionit Europian për hapje të shpejtë të negociatave të anëtarësimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.
Këtë kancelarja gjermane e ka thënë në një seancë të komisionit parlamentar të Bundestagut për Europën. Sipas gazetës, në këtë seancë Merkel e ka bërë të qartë, se periudha më e afërt kur mund të merret një vendim për këtë pritet në tetor.
Me këtë veprim, kancelarja gjermane del qartazi kundër partnerit në koalicion, Partisë Socialdemokrate, SPD, që përkrah votimin pro për hapjen e negociatave në Këshillin e BE më 18 qershor.
Mediat gjermane flasin për një përçarje në koalicionin CDU-CSU për çështjen e hapjes ose jo të negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.
Ministri gjerman i Shtetit për Europën në Ministrinë e Jashtme, Michael Roth (i partisë SPD) është një nga politikanët më të angazhuar për hapjen e negociatave.
“Mua më vjen shumë keq që CDU / CSU refuzojnë, siç kishin premtuar një vit më parë të hapur në qershor negociatat për pranimin me Shqipërinë dhe Maqedoninë Veriore “, tha Roth. Sipas tij, të dy vendet i kanë bërë detyrat e shtëpisë.
Por deputeti gjerman i CDU-së dhe kryesues i grupit parlamentar për Ballkanin Perëndimor në Bundestag, Johann Ëadepuhl, thotë se Shqipëria nuk ka plotësuar asnjë nga kushtet e caktuara në Këshillin e Ministrave të Jashtëm, të datës 28 qershor 2018./Hashtag.al