Vendosni fjalën kyçe....

PD reagon për djegien e makinave të kryetares në Ulëz: S’do ta falim


Partia Demokratike ka reaguar për djegien e dy makinave të kryetares së kësaj force politike në Ulëz, Mat.

Sipas PD-së, ngjarja ka motive politike për shkak se familja Kalthi me këto dy makina ka ardhur në Tiranë për të marrë pjesë në protestë, duke shoqëruar edhe qytetarë të Ulzës.

Sipas PD-së, postblloqet e policisë i kanë identifikuar këto dy mjete si transportuese të protestuesve dhe në mes të natës kanë kryer aktin.

“Mesnatën e mbrëmshme, bandat e Edi Ramës në Ulëz të Matit kanë djegur dy makinat e kryetares së strukturës së PD në Ulëz, znj Gjelina Kalthi. Asnjë problem teknik, asnjë konflikt nuk ka patur familja e znj. Kalthi me askënd në Ulëz. I vetmi shkak i këtij sulmi banditesk është fakti se me këto dy makina, familja Kalthi ka ardhur në Tiranë për të marrë pjesë në protestë, duke shoqëruar edhe qindra qytetarë të tjerë protestues nga Ulza. Postblloqet policore në rrethin e Matit kanë identifikuar makinat si “transportuese” të protestuesve nga Mati në Tiranë dhe mbrëmë, në mes të natës, si hajdutë e banditë, kanë realizuar aktin kriminal. PD dënon ashpërsisht këtë akt qartësisht politik dhe banditesk. Ai është një akt që as do ta harrojmë, as do ta falim. Një ditë, në këtë vend drejtësia do të vendoset dhe para drejtësisë, me Edi Ramën, do të vendosen dhe bandat e banditët që realizojnë akte të tilla, që synojnë intimidimin dhe frikësimin e kundërshtarëve politikë të regjimit kriminal të Edi Ramës. Bandat e Edi Rames, betejën me demokratët e qytetarët e Matit e kanë të humbur. Familja Kalthi, bashkë me qytetarët e tjerë të Ulzës, do të jenë edhe nesër në protestë, para kryeministrisë, në orën 19.00 Malësorët e Matit nuk i nënshtroi dot Enver Hoxha, ata nuk do t’i nënshtrojnë dot as banditët e drogës e të hashashit, në shërbim të kryeministrit ilegjitim të Avdylajve.”, thuhet në reagimin e PD-së.

Gjelina Kalthi më herët deklaroi se nuk kishte konflikte me njeri dhe se ngjarja kishte prapavijë politike. Ajo shtoi se familja e saj ishte e frikësuar për jetën.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *