Vendosni fjalën kyçe....

Theresa May jep sot zyrtarisht dorëheqjen

Theresa May do të japë sot zyrtarisht dorëheqjen si kryetare e Partisë Konservatore, por do të mbetet kryeministre derisa të zgjidhet pasardhësi i saj.

May njoftoi se do jepte dorëheqjen dy javë më parë, duke thënë se i vinte shumë keq që nuk kishte mundur të mbyllte marrëveshjen e Brexit.

BBC” shkruan se 11 deputetë konservatorë konkurrojnë për ta zëvendësuar atë si udhëheqës të partisë dhe përfundimisht, si kryeministre.

Nominimet hapen në orën lokale 10:00 dhe mbyllen në orën 17:00 brenda ditës.

May do të mbetet udhëheqëse e përkohshme, ndërsa zhvillohet gara për lidershipin e Partisë Konservatore.

Mbretëria e Bashkuar kishte për qëllim të largohej nga Bashkimi Europian më 29 mars.

Por u shty në 12 prill dhe përfundimisht u shty përsëri më 31 tetor pasi May nuk arriti të bindë deputetët që të miratonin marrëveshjen e saj.

Ajo njoftoi se do të jepte dorëheqjen, duke thënë se kishte bërë gjithçka që mundi për të bindur deputetët të mbështesnin marrëveshjen e tërheqjes që ajo kishte negociuar me Bashkimin Evropian, por tani ishte koha që një kryeministër i ri të përpiqej të realizonte Brexit.

Kandidantët për lidership kanë nevojë për 8 deputetë për t’i mbështetur.

Deputetët pastaj do të votojnë për kandidatët e tyre të preferuar në një seri votimesh të fshehta të mbajtura më 13, 18, 19 dhe 20 qershor.

Dy deputetë do shkojnë në finalen e 20 qershorit dhe do votohen nga gjithë anëtarët e Partisë Konservatore. Ndërsa fituesi pritet të shpallet në 22 korrik.

Ndërkohë që gara nuk fillon zyrtarisht derisa May të largohet, kandidatët tashmë janë duke kërkuar pozitën.

Pyetjet që kanë dominuar fushatën e tyre deri tani kanë qenë se si kryeministri i ardhshëm duhet ta mbyllë një marrëveshje të Brexit përmes Parlamentit dhe nëse do të pranojnë një dalje pa marrëveshje.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *