Një gazetar rus, i cili ka kryer investigime të profilit të lartë për korrupsion, është arrestuar në Moskë. Ivan Golunov,i cili punon për sajtin e lajmeve me qendër në Letoni, Meduza, u arrestua nga policia të enjten dhe u akuzua për trafik të drogës në shkallë të gjerë.
Sikurse shkruan “BBC”, avokati i tij pretendon se Golunov ishte rrahur gjatë kohës së paraburgimit, por autoritetet e mohojnë këtë. Ai ka mohuar dhe akuzat për drogë, duke thënë se lënda narkotike i ishte vendosur me qëllim.
Portali Meduza tha se gazetari 36-vjeçar ishte “persekutuar për shkak të veprimtarisë së tij gazetareske”.
Golunov do të dalë në gjyq në jug-perëndim të Moskës, të shtunën në mëngjes.Ai ka e kspozuar në mënyrë të përsëritur korrupsionin midis biznesmenëve të profilit të lartë të Moskës dhe elitës politike të saj, si dhe skemave financiare mashtruese në qytet.
Drejtori i Meduza-s, Galina Timçenko dhe redaktori Ivan Kolpakov thanë: “Ne do të mbrojmë gazetarin tonë me të gjitha mjetet e disponueshme”.
Ata shtuan se gazetari kishte marrë kërcënime gjatë disa muajve të fundit, në lidhje me një histori ende të pabotuar për të cilën ai ishte duke punuar.
Arrestimi i tij nxiti protesta në Moskë dhe Shën Petersburg, ku më shumë se një duzinë njerëzish (kryesisht gazetarë) u arrestuan dhe u liruan më pas.
Në vitet e fundit, shumë figura të opozitës dhe aktivistë të të drejtave të njeriut janë ndaluar në akuzat e fabrikuara në mënyrë të dukshme për drogë, të cilat janë parë gjerësisht si një përpjekje për të shuar mospajtimin politik.
Si u arrestua Ivan Golunov?
Ai ishte në rrugë pasi do të takohej me një tjetër gazetar të enjten, kur u ndalua dhe u kontrollua nga oficerët.
Ata pretendojnë se gjetën ilaçin sintetik “mephedrone” në çantën e tij dhe se një kontroll i dytë në banesën e gazetarit rezultoi në zbulimin e më shumë lëndëve narkotike.
Meduza tha se Golunov ishte rrahur nga oficerët gjatë arrestimit dhe më vonë në stacionin policor.
“Ai ishte në gjendje vetëm të kontaktonte një mik pas 14 orësh”, thuhet në deklaratë.
Avokati i Golunovit, Dmitry Julay, u tha gazetarëve se atij i ishte mohuar ushqimi dhe gjumi për më shumë se 24 orë.