Vendosni fjalën kyçe....

Sot protesta e opozitës: Nuk ka më kompromis me Ramën


Sot mbahet protesta e radhës kombëtare e opozitës, që pritet të nisë rreth orës 19:00. Vendimi për të mbajtur protestën këtë të shtunë, u mor menjëherë pas përfundimit të protestës së opozitës më 2 qershor, e cila ishte protesta e 7 kombëtare e opozitës.

Në terren do të jenë të angazhuar 1700 forca policie, ndërsa para Kryeministrisë, Ministrisë së Brendshme, dhe Parlamentit do të vendosen gardhe metalike si në protestat e kaluara.

Gjithashtu do të ketë kamera me rezolucion të lartë, për fiksimin e atyre që kryejnë akte dhune.

Partia Demokratike mësohet se ka kërkuar leje për protestë marshim tek Kryeministria dhe Parlamenti nga ora 19.00 deri në mesnatë, ndërsa policia e ka lejuar të protestojë vetëm para Kryeministrisë deri në orën 21:00.

Pas protestës së 2 qershorit, 61 persona janë shoqëruar në polici dhe 42 prej tyre janë arrestuar. Gjatë protestës pati përplasje të vazhdueshme mes protestuesve dhe efektivëve të policisë, ku 13 persona mbetën të plagosur: 10 nga radhët e policëve dhe 3 nga radhët e protestuesve.

Kur përfaqësues të opozitës dhe ministri Brendshëm Sandër Lleshaj shkuan në spitalin e Traumës për të vizituar të plagosurit, nisi një debat para kamerave mes këtij të fundit dhe ish-deputetit Bardh Spahia.

Por në protestë mungonte një ndër lideret kryesore të opozitës, kryetarja e LSI-së Monika Kryemadhi, e cila i ishte nënshtruar një operacioni të vështirë në Itali.

 “Përshëndetje të gjithëve! Nëpërmjet këtij mesazhi do të doja fillimisht të falenderoja të gjithë ata mijëra qytetarë, që më kanë shkruar dhe janë interesuar për shëndetin tim. Në pamundësi fizike dhe kohore për t’ju kthyer përgjigje një e nga një, dua t’ju uroj shëndet dhe gëzime paçi gjithmonë.  Zoti ju bekoftë dhe mbroftë familjet dhe të dashurit tuaj!

Sot është dita e shtatë, pas një operacioni të vështirë që kam kryer. Ishte një ndërhyrje urgjente që duhej ta kryeja pas insistimit të mjekëve. Sot mora edhe konfirmimin e tyre që rreziku që kisha është tejkaluar, operacioni ka mbaruar me sukses”-shkruan Kryemadhi.

Opozita kërkon dorëheqjen e kryeministrit Rama ndërsa u ka bërë thirrje qytetarëve t’u bashkohen në protestën e 8 qershorit.

Kreu i PD-së, Lulzim Basha tha se në protestën e 8 qershorit: “Nuk do kërkojnë asgjë më shumë, por nuk do të pranojmë asgjë më pak për veten se vlerat që na bashkojnë: demokraci, shtet ligjor dhe drejtësi të barabartë për të gjithë.”

Ndërsa kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi tha dje se kompromis me Edi Ramën nuk do të ketë, ndërsa shtoi se një protestë paqësore dhe masive do të ishte goditja më e fortë për të.

Kryemadhi tha se dhuna është shpëtim për Edi Ramën dhe ndaj protesta nuk ka qëllim djegien e institucioneve, por masivitetin për të larguar Edi Ramën.

“Largimi i Edi Ramës do të thotë fund i tranzicionit në vend. Nuk ka më asnjë kompromis me një njeri që punon për grupin e tij të klientëve dhe ka varfëruar shqiptarët. Me atë që jo vetëm premtoi 300 mijë vende pune, por largoi 500 mijë shqiptarë. Vetëm një protestë paqësore dhe në formën më të bukur do të jetë goditja më e rëndë për krimin e organizuar dhe për Edi Ramën”– tha Monika Kryemadhi.

Protesta e sotme vjen pas ditë pas publikimit të 6 audiopërgjimeve nga gazeta gjermane “Bild”, që dëshmonin lidhjet e eksponentëve të PS-së me grupin kriminal të Avdylajve, në veçanti kryebashkiaku i Durrësit Vangjush Dako. Audiot ishin një dëshmi e mënyrës së si u vodhën votat në Durrës dhe kërcënimet që kishin marrë punonjës të administratës që të votonin PS-në ose të largoheshin nga puna./Hashtag.al


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *