Vendosni fjalën kyçe....

Zv.asistent Sekretar i Shtetit: Basha përgjegjës nëse në protestë ka dhunë, bie ndesh me parimet demokratike


Zv.asistenti i Sekretarit të Shtetit, Palmer, ka deklaruar se SHBA-ja nuk ka ndryshuar qëndrim lidhur me situatën politikë në vend.

Sipas zyrtarit amerikan, djegia e mandateve, bojkoti i zgjedhjeve dhe dhuna në protesta është diçka që bie ndesh me parimet demokratike. Në intervistën e dhënë për Top-Channel, ai theksoi se pozita dhe opozita duhet të ulen në dialog për të punuar së bashku lidhur me reformën zgjedhore.

“Pozicioni i SHBA nuk ka ndryshuar lidhur me situatën politike në Shqipëri. Djegia e mandateve parlamentare, bojkoti i zgjedhjeve, dhuna që kemi parë në protestat e organizuara politikisht janë, në themel, në kundërshtim me praktikat demokratike. Siç e thashë gjatë vizitës sime të fundit në prill, dhe po e përsëris për ju, partitë e opozitës duhet të kërkojnë një shteg drejt dialogut me qeverinë lidhur me reformën zgjedhore. Duhet të punojnë së bashku me autoritetet për të trajtuar rekomandimet që OSBE/ODIHR nxorën pas zgjedhjeve në vitin 2017 dhe 2015 në Shqipëri. Këto janë një numër çështjesh, përfshi blerjen e votes, kërcënimin e votuesve, si dhe praktika të tjera, të cilat duhet të trajtohen dhe reforma zgjedhore është e vetmja zgjidhje.” – tha Palmer.

Më tej, zv.asistent Sekretari tha se dhuna nuk ka vend në demokraci dhe se protestat duhet të jenë paqësore.

Ai shtoi se u është bërë thirrje drejtuesve të opozitës, Basha e Kryemadhi që ëtë dënojnë publikisht aktet e dhunës të mbështetësve si dhe të sigurojnë që protestatt e ardhshme të jenë paqësore.

“Iu kemi bërë thirrje në mënyrë të përsëritur udhëheqësve të opozitës, sidomos Kryetarit të Partisë Demokratike Lulzim Basha dhe Kryetares së LSI Monika Kryemadhi që të dënojnë publikisht aktet e mbështetësve të tyre, të bashkëpunojnë me hetimet që synojnë të identifikojnë autorët individualë dhe vënien e tyre para përgjegjësisë, si dhe të sigurojnë që të gjitha protestat e ardhshme publike të jenë të rregullta dhe paqësore. Dhuna e ushtruar nga protestuesit është në kundërshtim me synimet e deklaruara të partive opozitare për të pasur një demokraci të fortë europiane. Dua të jem shumë i qartë me Z. Basha, Znj. Kryemadhi dhe të tjerë në partitë e tyre: nëse në protestat e ardhshme ka akte dhune, për ne ata do të jenë përgjegjësit. Ka qenë shumë e qartë në të kaluarën që kur drejtuesit duan që protestat që të jenë paqësore, ato kanë qenë paqësore. Demonstratat e dhunshme po dëmtojnë përpjekjet e Shqipërisë për reforma demokratike si dhe perspektivën e vendit për të ecur përpara në rrugën drejt BE. Shtetet e Bashkuara nxisin të gjitha palët që të bëjnë hapa pas nga konfrontimi dhe të angazhohen në dialog konstruktiv që synon t’i japë fund ngërçit politik.” – shtoi Palmer.

Ai deklaroi gjithashtu se SHBA-ja nuk do ndërhyjë apo negociojë një dialog mes pozitës dhe opozitës ndërsa tha se SHBA mbështet fort dialogun dhe debatin konstruktiv mes palëve. Ndërsa theksoi se pengimi i procesit zgjedhor përbën arsye për moskualifikim për të hyrë në SHBA.

Palmer theksoi ndër të tjera se përcaktimi i datës së zgjedhjeve të 30 qershorit është vendosur sipas procedurave të përcaktuara dhe se SHBA do dërgojë një ekip vëzhguesish për t’i mbikëqyrur.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *