SHBA i vendosin ultimatum Turqisë deri në fund të muajit korrik, për të blerë apo jo sistemin mbrojtës të raketave nga Rusia. Ultimatumin, Ankarasë zyrtare, ia dërgoi përmes një letre, sekretari amerikan i mbrojtjes Patrick Shanahan.
Në letër, Shanahan thekson se Turqia nuk mund të ketë edhe avionë luftarakë amerikanë F-35 edhe sistemin mbrojtës rus S-400.
Përgjigjja e Amerikës vjen vetëm pak ditë pasi Turqia njoftoi se do të blinte nga Rusia sistemin mbrojtës të raketave, duke krijuar një tjetër vijë të kuqe në marrëdhëniet e tensionuara mes dy vendeve aleate të NATO-s.
SHBA argumenton se sistemi rus nuk është i përshtatshëm me sistemin mbrojtës të NATO-s dhe përbën kërcënim për sigurinë. Në fund të letrës së tij, sekretari i Mbrojtjes, Shanahan thekson se SHBA-të do të ishin shumë të zhgënjyera nga Turqia nëse planin e saj do ta çonte deri në fund, duke përmendur edhe një herë ultimatumin e vendosur, fundin e muajit korrik. Deri atëherë sipas tij, ka kohë për t’u tërhequr.