Irani ka zgjedhur të “tërhiqet e të ndryshojë taktikë” pas përgatitjeve për një sulm të mundshëm kundër forcave amerikane në rajonin e Gjirit Persik. Megjithatë është shumë herët për të dalë në përfundimin se kërcënimi është zhdukur, tha të enjten komandanti i lartë i forcave amerikane në Lindjen e Mesme, raporton Zëri i Amerikës.
Gjatë një interviste për tre gazetarë që e shoqëronin atë në Gjirin Persik, gjenerali Frank McKenzie tha se ai vazhdon të jetë i shqetësuar nga potenciali i Iranit për të sulmuar.
Ai tha se nuk e përjashton mundësinë që të kërkojë pajisje ushtarake shtesë për të forcuar mbrojtjen kundër raketave iraniane apo armëve të tjera.
“Nuk besoj se kërcënimi është zvogëluar”, tha zoti tha McKenzie, duke shtuar se “beson se kërcënimi është shumë real”.
Tensionet mes SHBA-së dhe Iranit janë përkeqësuar që kur Presidenti Donald Trump u tërhoq nga marrëveshja bërthamore e vitit 2015 mes Iranit dhe disa fuqive botërore duke rivendosur sanksionet ndaj Teheranin.
Muajin e kaluar si përgjigje ndaj asaj që zyrtarët amerikanë e cilësuan si kërcënim të afërt, SHBA-ja njoftoi dislokimin e një avion transportues dhe të tjera mjete ushtarake në rajon.
Në Bagdad zoti McKenzie u tha gazetarëve të “The Associated Press” si dhe dy organizatave të tjera mediatike se ridislokimi i SHBA-së në gji ka bërë që “iranianët të sprapsen pak”, por ai tha se “nuk është i sigurt nesë nga pikëpamja strategjike ata po tërhiqen”.
SHBA-ja ka fajësuar gjithashtu Iranin për hedhjen në erë muajin të kaluar të cisternave të naftës në një port të Emirateve të Bashkuara Arabe.
Të enjten ambasadorët në OKB të Emirateve të Bashkuara, Arabisë Saudite dhe Norvegjisë i thanë anëtarëve të Këshillit të Sigurimit se hetuesit besojnë se këto sulme ishin kryer nga një shtet i huaj që kishte përdorur zhytës për të vendosur mina në cisternat e naftës. Por ata nuk përmendën Iranin.
Më parë ambasadori saudit në Kombet e Bashkuara Abdallah Al-Mouallimi fajësoi Iranin për sabotazhin.