Vendosni fjalën kyçe....

Mediet afër qeverisë: Meta nuk ka të drejtë të anulojë zgjedhjet, PS-ja po përgatit shkarkimin


Mediet afër qeverisë Rama që nga dita e djeshme kur presidenti Meta anuloi datën e zgjedhjeve vendore kanë nisur të publikojnë ato që sipas tyre janë “argumente”, se ky vendim i presidentit është nuk dhe nuk mund të zbatohet.

“Referenca kushtetuese për caktimin e datës së zgjedhjeve të 30 qershorit është konsumuar për këto zgjedhje dhe nuk mund të  merret vendim për shfuqizimin e saj.

Kjo dispozitë mund të ripërdoret kur të vijnë zgjedhjet e tjera, por në këto zgjedhje është e pamundur pasi vetë ligji themelor i shtetit nuk e lejon diçka të tillë. Është sikur nuk ka ndodhur kurrë.

Kështu që nuk dihet se ku e ka mbështetjen ligjore presidenti Meta për këtë vendim.”, shkruan “Tema”.

Ndërsa “Javanews” publikon një koment të Skënder Minxhozit i cili mendon se dekreti i anulimit të zgjedhjeve nga Meta është garanti se ato do të mbahen.

“Mund të duket paradoksale, por Ilir Meta dhe dekreti i tij anullimit të zgjedhjeve lokale, është megjithatë sot garancia më e madhe se këto zgjedhje do të mbahen. Pa ironi dhe pa batutë. Ja pse!”, shkruan Minxhozi.

Kurse Alfred Peza mendon se presidenti Meta u vetëvra si Allende.

“Sipas Kushtetutës Presidenti i Republikës sipas nenit 92, pika gj, e Kushtetutës, ka të drejtë vetëm të “caktojë datën e zgjedhjeve për Kuvendin, për organet e pushtetit vendor dhe për zhvillimin e referendumeve;”

Pra, Presidenti nuk ka të drejtë të shfuqizojë dekretin e datës së zgjedhjeve. Kjo është arsyeja se përse ai nuk ka asnjë referencë Kushtetuese dhe Ligjore në deklaratën e tij. E se përse do mendohet deri të hënën.”, mendon ish-deputeti i Edi Ramës.

“Shqiptarja.com” kalon më tej, duke thënë se Rama po përgatit shkarkimin e Metës, ku theksohet: “Megjithatë, sipas burimeve, socialistët pritet ta shkarkojnë Metën me vota në Parlament, ndonëse ky vendim nuk mund të verifikohet nga Kushtetuesja dhe për rrjedhojë nuk mund të zbatohet. Në këto kushte, Meta do të jetë një President i shkarkuar nga Parlamenti, por që do të mbetet në detyrë deri kur të funksionojë Gjykata Kushtetuese.

Ndonëse për mazhorancën i shkarkuar, Ilir Meta mund të ndërmarrë akte si President, deri në momentin kur të funksionojë Kushtetuesja dhe të shprehet për ligjshmërinë e vendimit të shkarkimit. Ndërkaq, nëse PS do të finalizojë shkarkimin e Metës në Kuvend, nuk përjashtohet mundësia që Meta të largohet nga Presidenca dhe të rimarrë drejtimin e LSI, pa pritur verifikimin e ligjshmërisë së vendimit të shkarkimit nga Kushtetuesja e re.”/Hashtag.al


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *