Presidenti i Republikës Ilir Meta çdekretoi dje datën e zgjedhjeve lokale por kryeministri Edi Rama thotë se ato do të mbahen. Opozita nga ana tjetër vazhdon pa ndërprerje protestat.
Por çfarë mund të ndodhë në këtë situatë, krejtësisht të re të krijuar për vendin?!
Një nga skenarët që po diskutohet është edhe një vendim i mundshëm i Ramës, duke qenë se ka votat në Kuvend, për të shkarkuar Metën.
Po sa i mundur është ky vendim ligjërisht?
Në kushtetutë, pika 2 e nenit 90, përcaktohen dy rastet kur presidenti mund të shkarkohet: kur shkel rëndë kushtetutën dhe kur kryen një krim të rëndë. Në këto dy situata, shkarkimi i tij mund të kryhet nga jo më pak se një e katërta e deputetëve dhe këtë propozim duhet ta mbështesin jo më pak se dy të tretat, e 140 deputetëve.
Mirëpo, edhe pse Rama mund ta kryejë këtë procedurë, duke qenë se i ka votat e nevojshme, duket se “thembra e Akilit” mbetet Gjykata Kushtetuese, e cila është jashtë funksioni.
Sepse, Meta mund të shkarkohet nga detyra vetëm pasi kjo gjykatë të vërtetojë fajësinë e presidentit.
Po çfarë mund të ndodhë me Gjykatën Kushtetuese që ka mbetur me 1 anëtar? A mund të ngrihet shpejt e shpejt ajo për të realizuar këtë qëllim?
Situata është sërish në disfavor të Ramës. Që Gjykata Kushtetuese të nisë funksionimin e saj do të duhet që pjesë e procesit të zgjedhjes së gjyqtarëve të jenë Presidenti (që hipotetikisht kryeministri do ta shkarkojë) dhe Gjykata e Lartë (e cila nuk është krijuar ende), ndërsa tre anëtarë zgjidhen nga Kuvendi.
Tre anëtarë të Kushtetueses mund të zgjidhen nga Kuvendi në nxitim e sipër por këta dhe 3 të tjerët që i zgjedh Presidenti dhe 3 të fundit Gjykata e Lartë, duhet të kalojnë në një tjetër filtër. Në atë të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi./Hashtag.al