Sipas presidentit të Republikës Ilir Meta, për shkak të përplasjeve mes palëve politike, vendi rrezikon të shkojë drejt një konflikti social.
“Dita e realizimit të zgjedhjeve duhet të jetë një ditë bashkimi dhe jo përçarje për popullin. Është dekretuar data në kushtet e një klime normale politike në vend. Presidenti ka ndjekur në vijimësi masat administrative për realizimin e këtij procesi, por rezulton se në skadim të afatit të regjistrimit të partive politike, ato të opozitës nuk janë regjistruar, pasi sipas tyre nuk mund të garantohen standardet për zgjedhje të lira. Ky vendim i opozitës, pason vendimin e saj për djegien e mandateve.
Nga ana tjetër Shqipëria po kalonë një krizë kushtetuese. E gjithë kjo gjendje është shqetësuese dhe rrezikon stabilitetin e vendit.
Si president kam bërë të gjitha përpjekjet dhe kam bërë thirrje mes palëve që të gjejnë zgjidhje dhe të kalojnë krizën, por përpos thirrjeve sërish me keqardhje konstatoj se palët politike reflektojnë thellim të ndasive mes tyre.
Maxhoranca thotë se do shkojë e vetme në zgjedhje pa ezauruar asnjë mundësi për zgjidhjen e krizës politike. Nga ana tjetër opozita shprehet e vendosur se do të pamundësojë zgjedhjet. Si president i Republikës theksoj ekziston rreziku real që Shqipëria të shkojë drejt përshkallëzimit të paparashikueshëm social që mund të shkaktojë pasoja të paimagjinueshme. E konsideroj këtë moment si rrezik për stabilitetin, qetësinë, dhe paqen në vend.
Nëse në zgjedhje merr pjesë vetëm maxhoranca atëherë popullit i cënohet e drejta për të votuar. Standardet jo vetëm nuk përmbushen por shkelen në mënyrë flagrante. Këto zgjedhje kështu bëhen zgjedhje jo demokratike. Ekziston rreziku real që Shqipëria të shkojë në konflikt social.
Shtyrja për një datë tjetër të dakordësuar nga palët, do të sjellë edhe zgjidhjen e krizës”, u shpreh Meta.
Presidenti e sheh anulimin e datës 30 qershor për zgjedhjet, si mjetin e vetëm për të penguar përshkallëzimin e situatës.
“Në kushtet aktuale, anulimi i zgjedhjeve është mjeti i vetëm urgjent për të penguar përshkallëzimin e kësaj krize dhe do të shërbejë si nxitje për dialog, për zgjidhjen e krizës.”, theksoi Meta./ Hashtag.al