Templates by BIGtheme NET

Zguri braktis mbledhjen e KQZ-së, Biba merr stafetën: Dekreti i Metës i pavlefshëm, më 30 qershor ka zgjedhje

Kreu i KQZ-së, Zguri, ka braktisur mbledhjen e thirrur nga 2 anëtarët socialistë të KQZ-së, Biba e Skënderi, lidhur me dekretin e presidentit Meta për shtyrjen e datës së zgjedhjeve lokale.

Zguri tha në fjalën e tij se anëtarët e KQZ-së duhet t’i bindeshin dekretit të presidentit pasi nuk ka ndodhur më parë që dekreti i një presidenti të vihet në diskutim.

“Duket si një lloj sfide, nga njëra anë kam zhdekretimin e zgjedhjeve, por edhe një mbledhje me dy kolegë. Unë mendoj se KQZ, duhet t’i bindet një produkti të tillë, një dekreti. Nuk dua të gjykoj kompetencën e presidentit.

Nuk jam Gjykatë Kushtetuese të vlerësoj është apo jo i ligjshëm dekreti i presidentit. për mua është detyruar dhe duhet të respektoj dekretin e tij. Pika 2 e dekretit më urdhëron.Dekreti i presidentit është detyrues dhe duhet ta respektojmë vullnetin e tij. 

Respektimi i ligjeve dhe hierarkisë duhet të prevalojë. As kjo pikë e dekretit nuk respektohet, dhe unë jam ndodhur në vështirësi. Kërkesa ime për t’ja dërguar subjekteve zgjedhore refuzohet. Për mua kjo është fare banale.

Respektimi i ligjeve duhet të prevalojë. Për të mos u zgjatur, refuzoj t’i futem brendisë. Nuk është KQZ që e ka këtë detyrim. A mundemi ne të refuzojmë një vullnet të tillë. Për mua është një sfidë që në rend dite kam dekretin e presidentit. Nuk e gjej me vend që mundem të drejtoj këtë debat. Ky nuk është një debat që duhet të bëhej në tavolinën e KQZ. Jam i detyruar të çohem.” – tha Zguri para se të largohej.

Me largimin e Zgurit, zv.kryetari Biba tha se dekreti i Metës është i pavlefshëm dhe në shkelje të Kushtetutës.

Biba tha se KQZ-ja do vijojë me organizimin e zgjedhjeve të 30 qershorit për t’u garantuar votuesve të marrin pjesë në të drejtën e tyre kushtetuese.

“Vetëm 20 ditë para datës së zgjedhjeve Presidenti ka vendosur shfuqizimin e dekretit të zgjedhjeve në 30 qershor. Ky dekret i dytë që shfuqizon dekretin e nëntorit, është një akt administrativ absolutisht i pavlefshëm. Duke shfuqizuar sot dekretin e nëntorit, Shqipëria është pa datë zgjedhjesh.

Kompetencat janë të përcaktuara me ligj, ushtrimi i tyre i detyrueshëm. Presidenti me vetëdije refuzon të zbatojë urdhërimin kushtetues. Akti administrativ absolutisht i pavlefshëm konsiderohet se nuk ekziston”, tha Biba.

MUND TË KOMENTOSH

avatar
  Subscribe  
Më njofto