Shkencëtarët po studiojnë mbetjet e një ujku “pleistocen”, që ka jetuar 40 mijë vite më parë, dhe që u gjet i ruajtur në mënyrë të përkryer në akull, në Siberi.
Ujku mendohet se ka qenë 2 deri në 3 vjeç kur ka ngordhur. Koka e tij e prerë u zbulua vjet në brigjet e lumit Tirektiak, në Jakutia.
“Kemi gjetur shpesh kafka të këtyre ujqve, por është hera e parë që zbulojmë një kokë me indet e buta dhe trurin të ruajtura më së miri”, thonë shkencëtarët.
Koka u prezantua në Tokio, ku profesori japonez Naoki Suzuki tha se muskujt e fytyrës dhe truri janë ruajtur në gjendje të shkëlqyer. Po ashtu, shkencëtarët kanë gjetur edhe këlyshët.