Vendosni fjalën kyçe....

Përfundon mbledhja e Këshillit Kombëtar të PD-së, merren vendime kryesore për ecurinë politike


Këshilli Kombëtar i PD-së i mbledhur ditën e sotme ka dalë me disa vendime për ecurinë e aksionit të saj politik.

Këshilli i PD-së duke vlerësuar gjendjen politike, keq qeverisjen e Partisë Socialiste sipas tyre dhe mosveprimin e ligjit mori disa vendime.

Vendimi kryesor i marrë nga Këshilli është krijimi i Aleancës Qytetare për Mbrojtjen e Demokracisë e cila do merret edhe me krijimin e një programi për ndërgjegjësimin e qytetarëve për gjendjen në të cilën ndodhet vendi.

Vendim tjetër i Këshillit ishte që Aleanca të merrej me hartimin e një programi për ndryshime të thella kushtetuese.

Vendimet e dala nga Këshilli Kombëtar i PD-së:

Këshilli Kombëtar i Partisë Demokratike të Shqipërisë, i mbledhur më datë 11 Qershor 2019,

VLERËSON SE NË KUSHTET KUR:

(I)   Është provuar para shqiptarëve dhe mbarë botës se qeveria është produkt i vjedhjes së zgjedhjeve në bashkëpunim me krimin e organizuar, siç dëshmojnë dosjet në Prokurori dhe përgjimet e bëra publike në median ndërkombëtare, të cilat vërtetojnë krimin elektoral, si dhe marrëveshjen para dhe pas elektorale, midis drejtuesve të lartë të Partisë Socialiste dhe grupeve më të rrezikshme kriminale në vend;

(II) Edi Rama po rrezikon seriozisht stabilitetin demokratik të vendit dhe themelet e demokracisë, duke tentuar, së fundmi, organizimin e një grushti shteti ndaj zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, nëpërmjet vijimit të një farse elektorale, që synon marrjen me dhunë të pushtetit dhe eleminimin e pluralizimit politik;

(III) Edi Rama ka asgjesuar Gjykatën Kushtetuese, ka asgjesuar Gjykatën e Lartë, ka asgjesuar Prokurorin e Përgjithshëm, ka marrë nën kontroll organet e reja të drejtësisë, përdor si instrumenta politikë kundër kundërshtarëve politikë dhe qytetarëve të lirë e të ndershëm Policinë dhe Shërbimin Informativ, përdor si kamikazë kundër zgjedhjeve të lira e të ndershme anëtarët e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve; 

(IV)Qeveria e dalë nga zgjedhje të deformuara dhe të diktuara nga bashkëpunimi me krimin e organizuar, ka krijuar një situatë të paprecedentë të krizës ekonomike, emigracionit masiv kombëtar dhe gjendje katastrofale të mjerimit social;

(V)Qeverisja ka degraduar në nivele të paprecedenta korrupsioni, me grabitje qindra milionë euro nga paratë e qytetarëve, me koncesione dhe vepra korruptive, si Kullat tek “Teatri Kombëtar”, Unaza e Re, rruga Milot-Balldren, rruga Orikum-Dukat, rruga e Arbrit, koncesionet në shëndetësi, inceneratorë etj.

DUKE MBAJTUR NË KONSIDERATË:

  • Vendimin nr. 20/1, datë 18.04.2019 të Këshillit Kombëtar, ku përcaktohet se: “Në mbrojtje të demokracisë dhe të votës së lirë, Partia Demokratike e Shqipërisë angazhohet të mos lejojë përveç zgjedhjeve të lira asnjë farsë elektorale, të organizuar nga Qeveria ilegjitime e Edi Ramës. Përmes përshkallëzimit të aksionit opozitar, Partia Demokratike e Shqipërisë angazhohet të pamundësojë mbajtjen e zgjedhjeve fasadë, të diktuara nga pakti i Edi Ramës me krimin e organizuar dhe paratë e pista të tyre, shkatërrimtare për demokracinë dhe zgjedhjet e lira.”.
  • Krizën e rëndë politike në vend, që nuk mundëson standardet demokratike minimale për zgjedhje të lira dhe të ndershme.
  • Situatën e re politike të krijuar pas anulimit kushtetues të datës së zgjedhjeve lokale në vend, dhe qëndrimin e Edi Ramës se do të shkojë në zgjedhje pavarësisht këtij fakti.

Në mbështetje të nenit 49 dhe 50 të Statutit të Partisë Demokratike të Shqipërisë, si dhe në vijim të vendimit nr. 20, datë 20.02.2019 dhe nr. 20/1, datë 18.04.2019 të Këshillit Kombëtar, n? mbledhjen e datës 11/06/2019,

KËSHILLI KOMBËTAR I PARTISË DEMOKRATIKE

VENDOSI:

1.Formimin e Aleancës Qytetare për Mbrojtjen e Demokracisë në nivel kombëtar dhe në nivel lokal, si një bashkim qytetar dhe intelektual, që do të ndërgjegjësojë qytetarët për rrezikun që i kanoset demokracisë në vend, si dhe do të angazhohet për marrjen e të gjitha masave për të mbrojtur rendin demokratik dhe kushtetues.

  1. Aleanca Qytetare për Mbrojtjen e Demokracisë do të angazhohet gjithashtu, që, përmes një dialogu gjithëpërfshirës kombëtar, të hartojë një platformë të ndryshimeve të thella politike, kushtetuese dhe zgjedhore për t’i dhënë fund, përgjithmonë, modelit kriminalo-autokratik të Edi Ramës, që përqendroi të gjitha pushtetin dhe pasuritë e vendit në një grusht pushtetarësh të korruptuar, oligarkësh grabitqarë dhe bandash mafioze, me qëllim që të vendosë standardet europiane të demokracisë, shtetit të së drejtës, lirive ekonomike e mundësive për të gjithë dhe mbështetjes sociale për shtresat në nevojë.
  2. Degët e Partisë Demokratike në bashkëpunim me partitë e tjera të Opozitës së Bashkuar, janë përgjegjëse që, brenda datës 15 Qershor 2019, të formojnë Aleancat Qytetare për Mbrojtjen e Demokracisë në nivel lokal, në 61 bashkitë e vendit. Ato duhet të fillojnë menjëherë procesin e ndërgjegjësimit të qytetarëve për rrezikun që i kanoset demokracisë në vend, si dhe planin e masave që duhet të ndërmerren në terren për të mbrojtur rendin demokratik dhe kushtetues.

4.Degët e Partisë Demokratike të fillojnë menjëherë procesin e kontaktimit të intelektualëve, pedagogëve, studentëve, shoqërisë civile, sipërmarrjes dhe faktorëve të tjerë ekonomiko-socialë në zonat e tyre, për t’i ftuar që të bëhen pjesë e Aleancës në nivel bashkiak.

  1. Ngarkohet Kryetari i Partisë dhe Sekretari i Përgjithshëm që të ndjekë zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.

 

KRYETARI I KËSHILLIT                              KRYETARI

BUJAR NISHANI                                     LULZIM BASHA

SEKRETARI I PËRGJITHSHËM

GAZMENT BARDHI

 


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *