Qeveria e Shteteve të Bashkuara i ka paraqitur zyrtarisht një kërkesë Britanisë për ekstradimin e themeluesit të WikiLeaks Julian Assange, tha të martën një zyrtar amerikan.
Assange përballet me një aktpadi prej 18 pikash, ku ai akuzohet për kërkimin dhe publikimin e informacionit të klasifikuar dhe për komplotimin me ish rreshterin Chelsea Manning për deshifrimin e një fjalëkalimi të kompjuterit të Departamentit të Mbrojtjes. Aktpadia, e cila përfshin një akuzë për spiunazh, është lëshuar nga Departamenti i Drejtësisë muajin e kaluar dhe është në pritje në gjykatën federale në Aleksandria të Virxhinias, raporton Zëri i Amerikës.
Kërkesa për ekstradim pritej, që kur autoritetet amerikane njoftuan fillimisht për një çështje penale ndaj Julian Assange.
47-vjeçari Assange u dëbua më 11 prill nga ambasada e Ekuadorit në Londër, ku qëndronte i fshehur që nga viti 2012, pasi Ekuadori i dha atij azil politik. Ai u arrestua nga policia britanike dhe aktualisht po vuan dënimin prej 50 javësh për shkeljen e lirimit me kusht. Suedia gjithashtu e kërkon atë për ta marrë në pyetje lidhur me një akuzë për përdhunim, gjë që Assange e ka mohuar.
Julian Assange u akuzua fillimisht për një shkelje të vetme, lidhur me akuzat se kishte punuar me rreshterin Manning për të deshifruar një fjalëkalim qeveritar. Disa ekspertë ligjorë kanë thënë se akuzat shtesë për spiunazh mund të ngadalësojnë, ose komplikojnë procesin e ekstradimit, në masën që Britania i sheh ato si vepra politike dhe për këtë arsye përjashtohen nga ekstradimi. Zyrtari amerikan foli në kushtet e anonimitetit, ngaqë nuk ishte i autorizuar të fliste publikisht.