Kreu i Kuvendit Gramoz Ruçi, ka mbledhur sot Konferencën e Kryetarëve, një ditë pasi PS deklaroi se do niste procedurat për shkarkimin e presidentit të Republikës Ilir Meta, për shkak të vendimit të tij për të shtyrë zgjedhjet.
Kërkesën për mocion me debat, e dorëzoi kreu i grupit parlamentar të PS-së Taulant Balla dhe për të caktuar datën e zhvillimit të mocionit dhe kohën e debatit, duket të mblidhet Konferenca e Kryetarëve në mjediset e selisë së Kuvendit.
“Pasi u njohëm me aktin e paprecedent të Presidentit të Republikës për shfuqizimin e dekretit nr. 10928, datë 05.11.2018, ‘Për caktimin e datës së zgjedhjeve për organet e qeverisjes vendore’ dhe duke e vlerësuar atë si një akt absolutisht të pavlefshëm, të marrë në kapërcim të kompetencave të institucionit të Presidentit dhe në kundërshtim flagrant me parimet kushtetuese dhe demokratike, si dhe duke konsideruar se ky akt synon të pengojë në mënyrë të kundërligjshme realizimin e së drejtës kushtetuese të shtetasve shqiptare për të zgjedhur përfaqësuesit e tyre në pushtetin vendor, bazuar në nenin 98 të Rregullores së Kuvendit, kërkojmë zhvillimin e një mocioni me debat në seancën më të parë të Kuvendit për këtë çështje, në përfundim të të cilit propozojmë miratimin e një rezolute sipas draftit bashkëngjitur”, thuhet në kërkesën që pritet të shqyrtohet paraditen e sotme.