I akuzuar për antendtat ndaj Tom Doshit, Durim Bami ka kërkuar nga shteti një dëmshpërblim prj 8.4 milionë lekësh.
Durim Bami thotë se ka qëndruar plot 839 ditë në masë sigurie arrest në shtëpi padrejtësisht kur nga gjykata ai është dënuar 8 muaj.
Në padinë të publikuar nga “Report TV”, thuhet se ai kërkon nga gjykata që të pranojë se ai ka vuajtur padrejtësisht nën masën e sigurisë “arrest në shtëpi” për 2 vjet e 5 muaj e 19 ditë.
Padia e Bamit është regjistruar në Gjykatën Administrative të Tiranës, e cila do të vendosë nëse do ta pranojë apo jo.
Durimi Bami është një emër i njohur i drejtësisë pasi ka qenë pjesë e denoncimit publik të deputetit Tom Doshi, kur ky i fundit pohoi se Bami ishte paguar që të kryente atentat ndaj tij dhe ish-deputetit Mëhill Fufi. Bami akuzoi Ilir Metën në 2015-ën se i kishte ofruar një shumë parash prej 500 mijë eurosh, për ekzekutimin e Doshit.
Bami u arrestua në 3 mars 2015, dhe në 6 mars Krimet e Rënda caktuan ndaj tij masën e sigurisë “arrest me burg” për akuzën e vrasjes në rrethana cilësuese. Por Bami nuk mundi t’i provonte pretendimet e tij dhe më 8 maj të 2015, gjykata e Tiranës vendosi ta linte Bamin në arrest shtëpie për kallëzim të rremë.
Hetimet ndaj tij zgjatën për vite me radhë, por vetëm më 4 prill të 2018-ës, gjykata vendosi ta dënonte Bamin me 1 vit, por për shkak të gjykimit të shkurtuar dënimi u reduktua në 8 muaj.
Kështu dënimi rezultoi të ishte më i vogël se sa kohëzgjatja e masës së sigurisë.