Euro vijon të shënojë rekorde të ulëta në raport me lekun vendas, duke zbritur nën 122 lekë.
Sipas kursit zyrtar të Bankës së Shqipërisë, 1 euro është këmbyer sot me 121.9 lekë, rreth 0.11 pikë më pak se një ditë më parë, nivel të cilin nuk e kishte prej që prej 2008-s.
Prej fillimit të qershorit, euro është nënçmuar me 0.73 pikë, duke shënuar rekorde të njëpasnjëshme të ulëta.
Sipas ekspertëve të këmbimit valutor, faktori kryesor që po ndikon aktualisht në zhvlerësimin e euros në raport me monedhën vendase janë prurjet e valutës nga turistët, kryesisht të shqiptarëve të Kosovës.
Tradicionalisht me përfundimin e muajit të Ramazanit ka një prurje të turistëve nga Kosova, që vijnë të pushojnë në Shqipëri.
Kjo ka përkuar edhe me përmirësimin e kushteve atmosferike, të cilat kanë rritur frekuentimin e plazheve.
Pritshmëritë e aktorëve kryesorë në tregun e këmbimit valutor flasin për një monedhë europiane të dobët.
Përveç turistëve, në dobësimin e euros do të ndikojnë edhe bizneset, të cilat duhet të mbyllin detyrimet tatimore, si pagesën e TVSH-së më datë 14 të çdo muaji dhe pagesën e sigurimeve të punonjësve në datë 20.
Në këto data, euro përgjithësisht tregohet e dobët ndaj lekut, pasi bizneset, veçanërisht eksportues dhe fasonët, konvertojnë valutë për të mbyllur detyrimet.
Megjithatë, ekspertët theksojnë se aktualisht po ndikojnë efektet sezonale, ndërkohë që efektet sezonale priten edhe në muajin gusht, kur kthehen emigrantët në atdhe për pushime.
Edhe monedhat e tjera janë treguar të dobëta përkundrejt lekut. Dollari amerikan është këmbyer me 107.72 lekë, rreth 0.23 pikë më pak se një ditë më parë.
Po ashtu kanë humbur pikë edhe franga zvicerane dhe paundi britanik, të cilët janë këmbyer me përkatësisht 108.61 lekë dhe 136.89 lekë.
VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Monitor