Vendosni fjalën kyçe....

FBI publikon dosjen për themeluesin e “Playboy”, çfarë thuhet në të


FBI ka vënë në dispozicion për publikun dosjen e ish-themeluesit të revistës “Playboy”, Hugh Hefner, i cili u nda nga jeta në vitin 2017.

Hefner është një nga shumë të famshmit që agjensia ka hetuar gjatë viteve.

Sikurse shkruan “ABC News”, dosja e publikuar zbuloi se FBI e ka intervistuar Hefner në disa raste në fund të viteve 1950 dhe fillim të viteve 1960, për atë që FBI i quan “materiale të turpshme”.

Në një shkresë drejtuar drejtorit të FBI-së, J. Edgar Hoover, agjenti përgjegjës i dosjes së Hefner-it i sugjeronte që FBI të vëzhgonte Hefnerin për të parë nëse ai po shkelte ligjet.

Çështja specifike ishte nëse Hefner dhe fotografi i tij, i identifikuar si Edward Oppman, donin të transportonin “imazhe pornografike” përgjatë linjave shtetërore.

Megjithatë FBI zbuloi se Hefner nuk kishte bërë asnjë shkelje.

“Personat e intervistuar këshilluan që Hefner ishte shumë i zgjuar për të shkelur ligjet federale apo lokale”, thuhet në një përmbledhje të hetimit.

Hefner në atë kohë i tha FBI-së se revista e tij ishte si “Esquire”.

Ai u arrestua përfundimisht nga autoritetet lokale në Çikago, për botimin e fotografive të aktores Jayne Mansfield që qyteti i konsideronte si “të turpshme dhe sugjestive”, por Hefner fitoi gjyqin.

Në vitin 2001, FBI thotë se dikush që imitonte emailin personal të Hugh Hefner u dërgoi rreth 15,000 emaile klientëve të ndryshëm.

Kur një person me interes publik vdes, FBI merr hapin e publikimit të dosjes së tyre në faqen e internetit të FBI-së.

Dosjet e FBI-së për të famshmit, përfshijnë Elvis Presley, Michael Jackson, Frank Sinatra dhe Duke Ellington , ish-senatorin Ted Kennedy dhe mafiozin Al Capone.

Në disa raste, personi i famshëm jo domosdoshmërisht është nën hetim, por viktimë. Për shembull, në dosjen e Elvis Presley, detajohet një kërcënim për ta rrëmbyer atë pas një prej koncerteve të tij në Las Vegas.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *