Vendosni fjalën kyçe....

Lirohet nga burgu gazetari investigativ rus, përlotet para turmës (VIDEO)


Pas protestave të kolegëve, lirohet gazetari rus Ivan Golunov i akuzuar për trafik droge. Gazetarët rusë u mblodhën në protestat për lirimin e Ivan Golunov, në një shfaqje të rrallë të mbështetjes në publik.

Sikurse shkruan “BBC“, Golunov filloi të qante kur u lirua dhe u zotua para mbështetësve që të vazhdonte me gazetarinë investigative.

Ministri i Brendshëm Vladimir Kolokoltsev, deklaroi se fajësia e tij nuk ishte “dëshmuar” dhe se një hetim i brendshëm ishte nisur.

Ai shtoi se vendimi për lirimin e gazetarit erdhi pas “testeve mjekoligjore, biologjike, gjurmëve të gishtërinjve dhe gjenetike”.

Kolokoltsev tha se do t’i kërkonte presidentit rus Vladimir Putin shkarkimin e dy zyrtarëve të lartë për rastin.

Bëhet fjalë për kreun e Drejtorisë së Punëve të Brendshme të Qarkut Administrativ Perëndimor të Moskës, Gjenerali Puchkov dhe kreun e Drejtorisë së Kontrollit të Drogave, gjenerali Devyatkin.

Ivan Golunov, i cili punon për sajtin e lajmeve me qendër në Letoni, Meduza, u arrestua të enjten e 6 qershorit nga policia dhe u akuzua për trafik të drogës. Ai ishte në rrugë pasi do të takohej me një tjetër gazetar , kur u ndalua dhe u kontrollua nga oficerët.

Ata pretendojnë se gjetën ilaçin sintetik “mephedrone” në çantën e tij dhe se një kontroll i dytë në banesën e gazetarit rezultoi në zbulimin e më shumë lëndëve narkotike.

Sikurse shkruan “BBC”, avokati i tij pretendon se Golunov ishte rrahur gjatë kohës së paraburgimit, por autoritetet e mohojnë këtë. Ai ka mohuar dhe akuzat për drogë, duke thënë se lënda narkotike i ishte vendosur me qëllim.

Portali Meduza tha se gazetari 36-vjeçar ishte “persekutuar për shkak të veprimtarisë së tij gazetareske”.

Drejtori i Meduza-s, Galina Timçenko dhe redaktori Ivan Kolpakov thanë: “Ne do të mbrojmë gazetarin tonë me të gjitha mjetet e disponueshme”.

Ata shtuan se gazetari kishte marrë kërcënime gjatë disa muajve të fundit, në lidhje me një histori ende të pabotuar për të cilën ai ishte duke punuar. Arrestimi i tij nxiti protesta në Moskë dhe Shën Petersburg, ku më shumë se një duzinë njerëzish  (kryesisht gazetarë) u arrestuan dhe u liruan më pas.

Në vitet e fundit, shumë figura të opozitës dhe aktivistë të të drejtave të njeriut janë ndaluar në akuzat e fabrikuara në mënyrë të dukshme për drogë, të cilat janë parë gjerësisht si një përpjekje për të shuar mospajtimin politik.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *