Sot mbahet provimi i dytë i detyruar i maturës shtetërore, ai i Gjuhës shqipe dhe Letërsisë. Provimi nis në orën 10:00 dhe zgjat dy orë e 30 minuta.
Provimi i letërsisë, ashtu sikurse të gjitha provimet e tjera do të jetë me 60 pikë në total. Do të ketë pyetje me alternativa, pyetje me zhvillim mbi tekstin që jepet si dhe një ese.
Kujtojmë se më 7 qershor u mbajt provimi i parë i maturës shtetërore, ai i gjuhës së huaj. Në ndryshim nga viti i kaluar që niveli i gjuhës së huaj ka qenë B1, këtë vit u bë B2, kjo për shkak se nuk ka më gjuhë të huaj me zgjedhje.
Ndërkohë që nxënësit ishin ende duke iu nënshtruar provimit, teza e anglishtes u publikua në rrjet. Ish-kryeministri Sali Berisha denoncoi se drejtorët e shkollave kanë nisur të shpërndajnë tezën në këmbim të votave.
Pas pesë ditësh, maturantët do t’i nënshtrohen testimit të tretë, atij të matematikës që do të jepet më 17 qershor.
Provimet e maturës shtetërore përfundojmë më 24 qershor, me lëndën me zgjedhje.
Për 15 nxënës do të ketë një mësues mbikqyrës si dhe nuk do të mungojnë bllokuesit e valëve, për të pasur një proces të drejtë testimi.