Vendosni fjalën kyçe....

Basha i përgjigjet Prokurorisë: Akuza qesharake, nuk trembem e as tërhiqem


Kreu i PD-së Lulzim Basha i është përgjigjur thirrjes së Prokurorisë për të dëshmuar si i pandehur, për lobimin në SHBA përmes kompanive ruse.

Përmes një shkrimi, Basha shprehet se nisja e hetimeve kundër tij nga ana e Prokurorisë bëhet me urdhër të kryeministrit Edi Rama për ta trembur atë dhe opozitën. Kryedemokrati i konsideron akuzat ndaj tij si qesharake, ndërsa thekson se nuk do tërhiqet nga beteja e tij për zgjedhje të lira e të ndershme në vend.

“Edi Rama, me metoda putiniane, ka vendosur të hapë hetime kundër meje, me akuza qesharake, të sajuara keq nga prokuroria e tij politike.

Mua nuk më bëhet vonë fare për këto akuza dhe këtë hetim politik. Edi Rama ka menduar se do të më trembë mua apo do të stepë opozitën, por do ta kuptojë shpejt se unë as nuk trembem dhe as nuk tërhiqem!

Edi Rama ka një vit e gjysëm që mban si shpatë në dorë një hetim absurd, pa prova dhe pa asnjë fakt kundër Partisë Demokratike. Tani që është në dëshpërim për të larguar vëmendjen nga kriza politike dhe skandalet për bashkëpunimin me krimin për të vjedhur zgjedhjet, Edi Rama ka vendosur që të sajojë akuza absurde për të shpërqendruar publikun.

Këto metoda alla Putin dhe Maduro, për t’u mbyllur gojën dhe neutralizuar kundërshtarët politikë dhe shkatërruar demokracinë, thjesht do ta thellojnë më shumë gropën ku ka rënë Edi Rama dhe do ta bëjnë të pashmangshëm dhe të shpejtë fundin e keq të tij. Edhe fundin e bashkëpunëtorëve të Edi Ramës, pa asnjë përjashtim, nga kriminelët e bandave deri tek prokurorët e kriminalizuar që i shërbejnë Edi Ramës.

Shqiptarët tani po shohin fytyrën e vërtetë të prokurorisë politike të Edi Ramës: institucioni që ndihmon dhe mbron Edi Ramën, Olsi Ramën, Linda Ramën, Vangjush Dakon, Damian Gjiknurin, Taulant Ballën, Ulsi Manjën, Arben Ahmetajn, Qazim Sejdinin, Jurgis Çyrben, Ilir Ndraxhin, Elvis Roshin, Pjerin Ndreun dhe kriminelët e tjerë, që mbron qeveritarët e korruptuar deri në palcë, punon vetëm për të luftuar kundërshtarët politikë të regjimit dhe qytetarët që ngrenë zërin kundër tij.

Sot, shqiptarët e kuptojnë se sa të pambrojtur janë para krimit që është në pushtet: ka një prokurori të mbushur me prokurorë politikë dhe të korruptuar, nuk ka Gjykatë të Lartë, nuk ka Gjykatë Kushtetuese, ndërkohë që Kuvendi gjytyrym është i mbushur me politikanë të kriminalizuar ose përfaqësues direkt të krimit.

Ky është sistemi i kalbëzuar nga krimi dhe korrupsioni që ne duhet të shembim! Asnjë hap pas nga beteja jonë për zgjedhje të lira e të ndershme dhe për Shqipërinë si Europa!”, shkruan Basha.

Kreu i PD-së Lulzim Basha është thirrur sot nga Prokuroria për të dhënë dëshminë e tij, për çështjen e lobimit në SHBA nga një kompani ruse.

Nën hetim janë marrë gjithashtu edhe ish-sekretari i përgjithshëm dhe ish-deputeti Arben Ristani si dhe Ilir Dervishi ekonomist në PD.

Sipas Prokurorisë së Tiranës, kryedemokrati duhet të paraqitet më 17 qershor në orën 09:30 ose në të kundërt do të shoqërohet me forcë. Por në reagimin e tij, Basha nuk sqaroi nëse ka vendosur të paraqitet apo jo në Prokurori./Hashtag.al


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *