Deputetja e PD-së, Rudina Hajdari, tha në fjalën e saj në Parlament se presidenti Meta po e bën të gjithë këtë lëvizje me qëllim që t’i shërbejë pushtetit të vjetër duke ulur në tavolinë të njëjtët emra që të arrijnë një marrëveshje.
Ajo tha gjithashtu se rezoluta e socialistëve për shkarkimin e presidentit është në fakt shantazh ndaj këtij të fundit, duke theksuar se Meta është në konflikt interesi me vendimin e marrë për shtyrjen e zgjedhjeve.
Hajdari tha se vendimin e Metës e gjykon vetëm Gjykata Kushtetuese dhe asnjë institucion tjetër.
“Nesër presidentit mund t’i teket që për shkak të kriminalitetit të rritur, të rikthejë dënimin me vdekje. Mendoni ju se organet e drejtësisë do e zbatojnë këtë gjë? Ku jemi këtu? Kështu bëhet kjo punë? Ë? E di çfarë mund të ndodhë, maksimumi do shtyhen zgjedhjet një muaj. A ia vlejti barra qeranë të bllokonim reformën në drejtësi, a ia vlejti që të bllokonim integrimin në BE? Të dashur qytetarë, është koha që të mos merremi më me këta të tre që janë në politikë prej kohësh. Presidenti është në konflikt interesi pasi ka bashkëshorten kryetare të një partie.” – tha ndër të tjera në fjalën e saj Hajdari.