Në konferencën për shtyp, këshilltarët e presidentit të Republikës lir Meta kanë paralajmëruar nxjerrjen e një dekreti të ri për vendosjen e një date tjetër për zgjedhjet lokale.
“Presidenti do të shprehet me dekret të ri për një datë tjetër të zgjedhjeve vendore”, tha Këshilltari Ligjor i Presidentit, Bledar Dervishaj.
Ai shtoi se “Presidenti i siguron shqiptarët se ata do të votojnë përtej 30 qershorit, në një datë sa më të afër dhe në një situatë sa më të qetë. Për caktimin e kësaj date prej ditës së djeshme ai ka nisur takimet me palët”.
I pyetur nga gazetarët nëse data e re për zgjedhjet do të vendoset pa dakordësinë e kryeministrit Edi Rama, Dervishaj tha se presidenti është ende në proces konsultimi dhe s’mund të flasë për këtë.
“Presidenti i Republikës siç e citova ka nisur një proces konsultimi dhe shumë shpejt do bëheni me ju. Sa i takon vendimmarrjes së tij pa dakordësi siç thoni ju, ai është një vendim i cili do të merret më vonë në përputhje me Kushtetutën por jemi në proces konsultimi dhe për këtë s’mund të flitet aktualisht”, iu përgjigj Dervishaj gazetarëve.